Ditën e premte, Altin Dumani, doli para mediave për komunikimin e përmuajshëm, ku përmendi shifra e procese të njohura, si dosja Ahmetaj, Zoto, ekstradimi i Adriatik Llallës, pengesa për ekstradimin të arratisurve në Dubai dhe dekonspirimin e arrestimeve nga krerët e policisë.
Në fakt, Altin Dumani i zgjedhur më 19 dhjetor 2022, ka plotësuar fiks 100 ditë në krye të SPAK, dhe duhet të bënte publik një bilanc konkret, për detyrimin që është caktuar në atë post, dhe për ato çfarë presin shqiptarët: goditjen e “peshkaqenëve” të pushtetit e politikës.
Sepse ashtu si paraardhësi i tij Arben Kraja, edhe Altin Dumani, në këto 100 ditë, që nuk janë pak, ka bilanc me hetime e prangosje “cironkash”, ndërsa “peshkaqenët” në pushtet, ata që ishin në pushtet dhe familjarët e tyre të bërë “sheikë”, nuk po preken.
Nuk themi që Arben Ahmetaj është “cironkë”, por e tha edhe vetë, që nuk është ai “koka” e landfilleve; ashtu siç Altin Dumani, nuk mund të quaj arritje kërkesën për ekstradimin e Adriatik Llallës, por të urdhërojë procedimin e Arben Krajës, që 5 ditë para se të nxirrte urdhër-arrestin e njoftoi të arratisej dhe shkoi e bëri show me kërkimin te vila e tij 1 milionë Euro.
Prej mëse 2 vitesh, SPAK ka në sirtar dosjet e bandës së familjes; Sali, Shkëlzen e Argita Berisha dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi, për super-afera korruptive, pastrim parash me Damir Fazlliç, vrasjet në biznese kriminale e protestë, por akoma pa të arrestuar.
Në 100 ditët e tij në detyrë, Altin Dumani duhej të dilte para shqiptarëve, me vendimet e prangosjes së bandës familjare Ilir Meta, Monika e Drini Kryemadhi, për aferën CEZ-DIA, vjedhjen e floririt, fshehje të ardhurash, pastrim parash e porositje vrasjesh me pagesë; madje dhe nisje hetimesh për milionat që Monika ka marrë si ortake në firmat ruse.
Asnjë fjalë nuk tha Altin Dumani në këtë 100 ditësh si kryetar i SPAK, as për Edi Ramën e Olsi Ramën, se përse nuk fillon hetimin për landfillet, dosjet tatimore, fluturimet me charter, aferën “Alabbar” në Durrës, grupin e strukturuar kriminal “Call-Center” dhe skandalin “McGonigal”.
Paçka se mediat e Saliut e Ilirit, nuk e pyetën Altin Dumanin për hetimin lidhur me PPP e shëndetësisë, kreu i SPAK duhej të informonte, përse nuk po arrestohet ish-ministri Ilir Beqja, megjithëse SPAK i ka provat, por po inskenohet pushimi i çështjes me tejkalim afatesh hetimore.
Nuk foli as lidhur me dosjet e 4 ministrave: Ritvan Bode, Genc Ruli, Genc Pollo e Arben Imami, për shitjen e 4 HEC-ve, kompleksin “Partizani”, koncesionet 1 miliardë Euro, shitjen fiktive të ish-hotel “Dajti” dhe zhdukjen e 30 milionë USD.
Në 100 ditshin e tij, Dumani duhej të njoftonte si punë të kryer, procedimin penal të ministres Belinda Balluku e drejtorëve të saj hajdutë Gonxhe, Verdho, Berberi, Çela e Skerdi Drenova të Transportit, KESH, Rrugëve, OSHEE e OST, të cilat kanë nga 5-6 kallëzime penale në SPAK.
Duhej të kishte filluar procedimet penale për ministrat Blendi Klosi, Bledar Çuci, Olta Xhaçka, Ogerta Manastirliu, Frida Krifca dhe për Sekretarin e Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, i thirrur vetëm 1 herë në SPAK për landfillet… e i lënë në heshtje.
Sipas dosjeve të korrupsionit që SPAK ka në sirtar, drejtuesi Altin Dumani, ka parë se “cironka” nuk janë as Emiriana Sako e Durrësit, Armando Subashi i Fierit, Gledian Llatja i Elbasanit, Ersielda Sefa e Lushnjës, Rakip Suli i Kamzës, Sotiraq Filo i Korçës e Ilir Xhakolli i Pogradecit.
A do preken këta “peshkaqenë” të ndarë në dy “tufa”: njëra në pushtet që po shqyen buxhetin e çdo pasuri publike, dhe tjera sa ishte në pushtet bëri kërdinë e kërkon të rikthehet përsëri.
Sepse gjersa nuk po shohim goditje as pas 100 ditësh, mund të mos kemi as pas 100 muajsh apo 100 vitesh./Pamfleti