24 orë kohë të largohet, prej 4 vitesh Irani nuk ka ambasador në Tiranë, u dëbua se “tentoi sulme terroriste” në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ju drejtua sot popullit me një videomesazh, ku bëri me dije se pas sulmit të paprecedentë ndaj shërbimeve qeveritare më 15 korrik qëndronte Irani. Këshilli i Ministrave vendosi sot ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve me Republikën Islamike të Iranit.

Trupit diplomatik në Tiranë ju la 24 orë kohë, sipas Ramës, të largohet nga vendi ynë. Mirëpo, newsbomb.al mëson se prek gati katër vitesh Irani nuk ka një ambasador në Tiranë dhe se selia diplomatike në vendin tonë drejtohet nga I Ngarkuari me Punë.

Në vitin 2017, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit Gholamhossein Mohammadnia, me akuzën e “rrezikimit të sigurisë së vendit”. Bashkë me të u shpall “non-grata” dhe një zyrtar tjetër i selisë diplomatike, por emri i tij nuk u bë publik, me akuzat për “tentim të sulmeve terroriste”.

Zyrtarë më të lartë të Shtëpisë së Bardhë, në atë kohë nën drejtimin e Presidentit Donald Trump, reaguan në mbështetje të Shqipërisë, ashtu si sot. Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo dhe këshilltari i sigurisë John Bolton reaguan menjëherë dhe dënuan sulmet e Iranit.

Një kompani amerikane e sigurisë kibernetike tha më 13 gusht të këtij viti se sulmet kibernetike në fund të korrikut që mbyllën përkohësisht sistemet e internetit të disa institucioneve qeveritare shqiptare, me shumë gjasa ishin kryer nga hakerë të lidhur me qeverinë iraniane dhe kishin për qëllim të prishnin konferencën e muxhahedinëve.

Kompania “Mendiant” tha në raportin e saj me një “nivel të moderuar besimi”: “Për shkak të kohës së këtij sulmi, temave në kanalet e rrjeteve sociale që kanë pranuar përgjegjësinë e sulmit, dhe përdorimi i kodit dhe softuerit të ngjashëm në malware të përdorur në të kaluarën për sulme kibernetike ndaj objektivave që flasin persisht dhe arabisht. Mund të thuhet se autorët janë pjesë e një rrjeti të lidhur me qeverinë iraniane, i cili zakonisht synon kundërshtarët politikë të qeverisë”.

Konferenca e Muxhahedinëve që duhej të mbahej në fillim të gushtit në Shqipëri, u anulua për shkak të paralajmërimit të qeverisë për mundësinë e sulmeve terroriste. Rreth tre mijë anëtarë dhe mbështetës të këtij grupi jetojnë në kampin “Ashraf 3” që ndodhet 30 kilometra në perëndim të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë.

Në këtë kamp ishte menduar të mbahej takimi i Muxhahedinëve nën titullin “Konferenca Botërore e Iranit të Lirë”, ku në mesin e të ftuarve ishin edhe një sërë politikanësh të huaj, mes të cilëve edhe disa anëtarë të Kongresit Amerikan.

Një grup i quajtur “Adalat Watan” mori përgjegjësinë për këto sulme kibernetike në të cilat ransomware u përdor për të vjedhur informacion.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit janë acaruar prej vitesh për shkak të pritjes nga Tirana të Organizatës Muxhahedine. Ajo u themelua në fund të viteve 1940 me një përzierje të ideve të majta islamike dhe radikale, ishte një nga grupet që luftuan politikisht dhe ushtarakisht qeverinë Pahlavi.

Në vitet në vijim, një pjesë e madhe e anëtarëve dhe mbështetësve të këtij grupi shkuan në Irak dhe u vendosën në atë vend deri pak vite pas përmbysjes së regjimit të Sadam Huseinit. Sipas marrëveshjes mes SHBA-së dhe qeverisë së Irakut, forcat e kësaj organizate u transferuan në Shqipëri.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej