“Abuzim total me lirinë e fjalës”, Rama i përgjigjet opozitës: Akuzat ndaj zyrtarit të FBI s’kanë asnjë lidhje me mua! Kam vendosur…

Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen duke reaguar ndaj akuzave të opozitës se është i përfshirë në korruptimin e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal.

Ndonëse opozita është duke debatuar në Kuvend, Rama i cili mungon në seancën e sotme, ka reaguar në rrjetet sociale duke thënë se s’ka asnjë lidhje me akuzat e ngritura mbi McGonigal.

Rama thotë se nëse do të kishte lidhje “do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë”. Kreu i qeverisë shprhet se ka vendosur që të mos merret “me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë”.

REAGIMI I RAMËS:

Një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën,me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu!

Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike, mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim.

Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë.

Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!

Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.

Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej