Alda Klosi, ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetaj është arrestuar pas dëshmisë së ish-pastrueses së saj, Rozeta Dobi që i vodhi mbi 500 mijë euro “cash” dhe bizhuteri me vlera të mëdha. Mbi Klosin, rëndojnë 3 akuza, ajo e ”pastrimit të parave”, “mosdeklarimi i pasurisë” dhe deklarim i rremë para policisë”. Ndërkohë që kanë kaluar 48 orë nga prangosja e saj, Aldës i është kërkuar të bashkëpunojë me drejtësinë për të zbardhur emrat e pronarit dhe burimit real të krijimit të shumës financiare, prej gati 600 mijë euro. Këtë shifër Alda Klosi, e mbante në banesën e saj, ku jetonte në kompleksin “Orion Konstruksion” që ndodhet tek rruga e “Kosovarëve” në Tiranë, aty ku punonte dhe Rozeta si pastruese dhe që e grabiti.
Sipas Ora News, pas arrestimit, Klosi ka kërkuar ta lironin, duke pretenduar se izolimin në burg e kishte tmerr dhe i përkeqësonte shëndetin. Ndërkohë në orën 03:00 të natës së të Shtunës, Alda Klosi, është shoqëruar nga policia në ambientet e Urgjencës, pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. Mjekët në QSUT kanë konstatuar se Klosi kishte tension të lartë, duke i sjellë anomali dhe çrregullim të imunitetit shëndetësor. Klosi i është nënshtruar disa analizave mjekësore, dhe pas konsultimeve të mjekëve, bluzat e bardha vendosën që Alda Klosi të shtrohej në spital, teksa sot pritet që në ambientet e spitalit të paraqitet prokuroria dhe gjykata, për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.