Bashkimi Evropian duket se do të ndryshojë qasjen e saj ndaj individëve apo politikanëve të korruptuar, duke dashur të ndjekë të njëjtën linjë si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. BE-ja po shqyrton mundësinë për të vendosur sanksione për politikanët apo individët e përfshirë në korrupsion madhor apo minimin të demokracisë.
Si fillim futja e termit “non-grata” u propozua nga presidentja e Komsionit Evropian, Ursula Von der Leyen gjatë një fjalimi për gjendjen e Bashkimit Evropian për vitin 2022 dhe mesa duket propozimi po merr jetë.
I gjithë ky proces duket se po ecën me ritme të shpejta pasi së fundmi Parlamenti Evropian ka përgatitur një draft dokument lidhur me këtë propozim, në të cilin thuhet se po shqyrtohet mundësia për të marrë sanksione ndaj të gjithë atyre personave që cenojnë demokracinë. Dokumenti nuk tregon kur mund të nisë implementimi i ligjit të ri, por shpjegon qartë se është në fazë diskutimi dhe se së shpejti do të nisë hartimi i tij.
Ajo që vlen të theksohet është impakti që ky ligj do të ketë te personat e sanksionuar nga SHBA, që me shumë mundësi do të sanksionohen edhe nga BE-ja. Një rast është ai i ish kryeministrit, Sali Berisha i cili do të izolohej si ish-diktatori, Enver Hoxha ose si presidenti rus Vladimir Putin, nëse ky ligj miratohet, duke e lënë atë pa asnjë lidhje me demokracitë perëndimore.
“Korrupsioni, dhe veçanërisht korrupsioni i madh në lidhje me zyrtarët e qeverisë, ka një efekt të dëmshëm mbi demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut. Korrupsioni në vendet e treta gjithashtu mund të ndikojë në funksionimin e demokracisë së BE-së me flukse parash që blejnë ndikim politik në BE. Në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit në vitin 2022, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi përfshirjen e korrupsionit në regjimin e sanksioneve të BE-së për të drejtat e njeriut.
Komisioni nuk mundet megjithatë, të iniciojë vetë legjislacionin përkatës. Sanksionet e BE-së përcaktohen në vendimet e përbashkëta të politikës së jashtme dhe të sigurisë, të miratuara unanimisht nga Këshilli mbi bazën e një propozimi të Përfaqësuesit të Lartë. Nëse një vendim i tillë i Këshillit përfshin sanksionet ekonomike ose financiare, këto duhet të zbatohen me anë të një rregulloreje të Këshillit, pas një propozimi të përbashkët të Përfaqësuesit të Lartë dhe Komisionit.
Ndërkohë që ende nuk ka nisur zyrtarisht hartimi i legjislacionit të ri, Këshilli po zhvillon debate mbi përshtatshmërinë e përdorimit të sanksioneve të CFSP për të synuar korrupsionin. Qasja për të miratuar vendosjen e sanksioneve për korrupsionin në nivel global mund të përfshijë krijimin e një sanksioni horizontal kornizë (duke zgjeruar fushën e mekanizmit ekzistues të sanksioneve për të drejtat e njeriut të miratuar në 2020 ose duke vendosur një regjim të ri të dedikuar), ose duke prezantuar rast pas rasti për një vend specifik regjimet e sanksioneve“, thuhet në dokument.