Brukseli i rrëzon Ramës amnistinë fiskale: Është kërcënim për shtetet e BE, favorizon pastrimin e parave dhe evazionin fiskal

Bashkimi Evropian është shprehur kundër draftit aktual të ligjit për amnistinë fiskale në Shqipëri, me pretendimin se nxit pastrimin e parave.

Përmes një njoftimi zyrtar, BE thekson se ky draft paraqet shqetësime serioze si për Shqipërinë, pasi dobëson mekanizmin e kontrollit kundër pastrimit të parave, edhe për vendet e bllokut evropian, duke qenë se emigrantëve “u kërkohet të importojnë para në dorë” nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë “për të përfituar nga amnistia”.

Nxjerrja e parave në këtë lloj forme nga vendet e BE-së përbën shqetësim serioz për shtetet anëtare të unionit dhe partnerët, si dhe vë në rrezik thelbësor reputacionin për vendin tonë.

Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”- thuhet në deklaratë.

Vlen të theksohet se, pak ditë më parë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se qeveria nuk ka marrë një miratim nga institucionet e Bashkimit Europian dhe njësia e Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave Moneyval për projektligjin “Për Amnistinë Fiskale”. Megjithatë drafti ishte prezantuar dhe ndodhej ende në fazë diskutimi.

Projekti i Ramës parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës.

Deklarata e plotë:

Më 29 qershor 2022 u zhvillua në Bruksel takimi i 13-të i Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Përfaqësues nga Komisioni Evropian (Komisioni) diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në këto fusha me autoritetet përkatëse shqiptare. Takimi u bashkëkryesua për BE-në nga z. Andrew Williams, Sekretar i Përhershëm i Nënkomitetit në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, ndërsa për Shqipërinë nga znj. Vasilika Vjero, Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë.

Në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, Komisioni vuri në dukje punën përgatitore që po bën Shqipëria për të trajtuar përafrimin ligjor dhe kontrollin e sektorëve të papërafruar, në mënyrë që të fillojë të sigurojë se është në përputhje me kërkesat e Traktatit. Komisioni përshëndeti gjithashtu progresin e Shqipërisë në politikën industriale dhe investimet, veçanërisht fillimin e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve, si dhe programin për zhvillim industrial gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Parashikohen diskutime të mëtejshme për Korporatën Shqiptare të Investimeve, ndërsa do të ketë edhe vazhdimësi në lidhje me turizmin.

Për sa i përket politikës tregtare, Komisioni përshëndeti përafrimin e plotë të Shqipërisë me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës dhe se autoritetet shqiptare kanë shmangur marrjen e çdo mase kufizuese pas sulmit të Rusisë, si dhe tendencat pozitive në tremujorin e parë të vitit 2022. Komisioni vuri në dukje rëndësinë e vazhdueshme të tregtisë së Shqipërisë me BE-në dhe anëtarët e tjerë të CEFTA-s. Lidhur me marrëveshjet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Komisioni theksoi nevojën për qartësi të marrëveshjes tregtare në lidhje me mënyrën se si kompanitë e BE-së mund të konkurrojnë mbi baza të drejta dhe të barabarta për kontrata publike, siç parashikohet në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Në fushën e doganave, Komisioni përshëndeti progresin e mëtejshëm në përafrimin me acquis të BE-së dhe e inkurajoi Shqipërinë që të vazhdojë të punojë me përfaqësuesit e biznesit për të identifikuar pengesat jodoganore dhe për të parashikuar me CEFTA-n njohjen reciproke të certifikatave sanitare dhe fitosanitare. Për luftën kundër mashtrimit, Komisioni vuri në dukje aktivitetin e raportuar për konfiskimet në lidhje me drogën, paratë në dorë dhe shkeljet e të drejtave të pronësisë intelektuale, si dhe njohu progresin në bashkëpunimin e brendshëm.

Për sa i përket tatimeve, Komisioni mirëpriti faktin që Shqipëria është juridiksioni i parë në Ballkanin Perëndimor që zbaton Standardin e Përbashkët të Raportimit të OECD-së dhe ka përmirësuar shpejtësinë e rimbursimit të TVSH-së, por shprehu keqardhje që miratimi i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave është vonuar.

Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej