Prokuroria e Posaçme po përballet me një valë të madhe padish për aferat e zyrtarëve publikë.
Duke qenë se ky organ u ngrit me qëllimin për të dërguar pas hekurave emrat e zhytur ne afera, shumë qytetarë, funksionarë dhe organizata kanë kërkuar hetime për funksionarë nga më të ndryshëm. Çdo muaj në SPAK ka afro 10-15 padi për korrupsion. Sipas statistikave të publikuar sot, në janar janë regjistruar 15 procedime penale, 6 prej të cilave për krim të organizuar dhe 9 për korrupsion.
Por ajo që bie në sy është se vetë zyrtarët dhe institucionet i janë drejtuar me shkresa SPAK-ut për të kërkuar informacione nëse janë apo jo nën hetim. Të gjithë duket se i ka kapur frika dhe informohen mbi statusin e tyre. Vetëm gjatë muajit janar në SPAK janë dorëzuar 45 kërkesa për informacione.
“Janë kthyer 45 përgjigje për shkresa të ardhura nga institucione të ndryshme lidhur me statusin e zyrtarëve publikë shqiptarë në raport me procedimet penale ndaj tyre”, shprehet SPAK.
Sipas të dhënave të siguruar nga raportet e përmuajshme që nxjerr SPAK, në një vit janë regjistruar afro 130 procedime të reja. Bëhet fjalë për padi për ministra, ish-ministra, deputetë, ish-kryeministra, etj. Po ashtu, ka pasur shumë padi nga qytetarë të ndryshëm.
Padyshim vëmendja më e madhe e të gjithëve është se kur do të trokasë SPAK te “peshqit e mëdhenj”. Aktualisht janë në hetime Ilir Meta, Sali Berisha, djali i këtij të fundit, ndërkohë që duhet theksuar se u dërguar për gjykim Fatmir Mediu. Ka gjithashtu dhe disa dosje që janë të fshehta dhe priten shumë prej tyre. Mbete tani të shohim se çfarë do të sjellë Altin Dumani.