Shpëtim Idrizi i ka mbyllur derën e bashkëpunimit Sali Berishës. Ky i fundit i bëri thirrje që të bashkohet me frontin opozitar në tryezën e së hënës me Bardhin, por Idrizi sot ka dhënë sinjale se ata po shkojnë drejt koalicionit me PS.
“Ai ishte një takim pozitiv, por për mua dhe deputetët e PDIU-së do të jetë gjithmonë e vështirë që të ulemi me atë pjesë të opozitës që mbështet Fredi Belerin. Nuk e kam ndjerë këtë mbështetje për kauzat e PDIU-së, që e kemi shtyrë ne më shumë, çështjen e Çamërisë”, tha ai.
Shpëtim Idrizi nuk do që të përfshihet në debatet e brendshme të Partisë Demokratike, por shpreh gatishmërinë për komisionet hetimore parlamentare.
Por teksa me qeverinë është në opozitë kur bëhet fjalë për politikën e brendshme, Idrizi thekson se mbështet Ramën në raport me Greqinë.
“Në politikën kombëtare nuk ka raporte personale. Ky miku i Ramës në momentin që u cenuan interesin e Greqisë, nuk e njeh më, një Greqi që nuk njeh Kosovën dhe çështjen e çamëve, dhe mbështet njerëz me rekorde separatiste”, tha ai.
Duke e quajtur person me rekorde kriminale ai thotë se Fredi Beleri nuk përfaqëson minoritetin grekë. Madje vë në dukje se edhe vetë mund t’ju gjejë një kandidat më të mirë.
“Fredi Beleri është një person me të cilin duhet të merrej drejtësia shumë më herët për shkak se ka rekorde kriminale. Ka figura të tjera shumë më të nderuara dhe mua t’ua gjej unë nëse duan, që do ta përfaqësonin shumë më mirë minoritetin grek”, shtoi ai.