Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka refuzuar për herë të dytë regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet vendore të 14 majit, duke mos u tërhequr nga kërkesa e tij për paraqitjen e deklaratës solemne me firmë të Lulzim Bashës.
Pasi dëgjoi pretendimet e përfaqësuesit të PD-së, Indrit Sefa, Celibashi argumentoi se Lulzim Basha rezulton kryetar i Partisë Demokratike sipas regjistrit për partitë politike në gjykatë, ndaj dhe angazhimi solemn nuk mund të nënshkruhet nga Enkelejd Alibeaj.
“Në vlerësimin tim duhet që ky autorizim, duhet të jetë plotësisht i qartë dhe i plotë, në lidhje me tagrat e të autorizuarit. Dokumentacioni për regjistrtimin e PDSH, i paraqitur prej jush, ka një mangësi themelore, deklarata solemne duhet të jetë e nënshkruar nga vetë kryetari i partisë zoti Lulzim Basha. Por rezulton se është e nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj, i cili është autorizuar nga zoti Basha. Në bindjen time, kjo është një dokument që duhet nënshkruar vetëm nga kryetari i partisë”, deklaroi Celbashi.
Vendimi për mosregjistrimin e PDSH-së së Alibeajt, do të apelohet në Komisionion e Ankimeve dhe Sanksioneve brenda tre ditëve.
Celibashi hodhi poshtë kërkesën për regjistrimin e PD-së së Sali Berishës.
Pjesë nga diskutimet në KQZ:
Indrit Sefa: Arsyetimi juajnë lidhje me këtë autorizim është i mangët. Ai autorizim është i vlefshëm edhe për zgjedhje të tjera nëse bëhen. Interpretimi juaj për nenin është interpretim politik. Ajo është një deklaratë solemne, për kryetarin, për sa kohë që ai është kryetar partie, por ai është angazhim i partisë. Si një e drejtë dhe detyrim që lind si pasojë e funksionit, edhe ai mund të delegohet. Edhe në shkresën që kemi përcjellë pranë jush, zoti Basha rezulton i regjistruar në regjistrin e partive politike, pasi sipas ligjit, nuk mund të depozitohet dorëheqja. Vetëm akti i kryetarit të ri. Por për sa kohë PD nuk ka kaluar procesin zgjedhor, është e pamundur të bëhet regjistrimi i kryetarit të ri.
Ilirjan Celibashi: Opinoini im është arsyetimi mbi vendimmarrjen time, pastaj keni të gjithë të drejtën ta kundërshtoni këtë vendim. Qëndrimi im është arsyetimi im mbi vendimin tim, bazuar mbi kërkesën tuaj për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor.
Indrit Sefa: Provat janë të plota dhe në zbatim të ligjit. Ju kërkoj të shqyrtoni kërkesën e depozituar nga Partia Demokratike. Merre në vendim tjetër. Me numër tjetër vendimi.
Celibashi: Po shqyrtoj vendimin e kërkesës së PD
Sefa: Ku e dini ju se cila është PD?
Celibashi: Po tani do e merrni vesh
Sefa: Nëse bëhet kjo më lind mua e drejta të vij si përfaqësues i PS dhe ta mbaj gjithë jetën në ankimim. Shqyrtojeni të veçantë.
Celibashi: PD ka një person juridik. Se kush e ka të drejtën unë do e shqyrtoj këtu. Do t’i shqyrtoj kërkesat veçmas.
Sefa: Nëse legjitimoni dy kërkues në një vendim, po e bëni me qëllim për të penguar PD-në. Unë dua kërkesën e paraqitur nga PD e Shqipërisë.
Celibashi: Po kush është PD e Shqipërisë, kush e vendos?
Sefa: Merr vendim të veçantë për çdo kërkesë, siç e ke marrë për çdo vendim të partive politike. Nuk mundesh kushdo që vjen këtu, sepse hap një lojë me ankime zgjedhore që nuk mbaron kurrë.
Celibashi: Nuk marr në konsideratë konfrontimin tuaj, por në vlerësimin ligjor që unë i bëj këti dokumentacioni ka disa fakte të mbështetura në ligj, dhe disa jo. Qëndron pretendimi që Basha është kryetar i PD, sepse rezulton sipas gjykatës. Ndaj mbi faktin e pakontestueshëm se Basha është kryetar i PD, pala e cila e ka paraqitur këtë fakt, dhe kërkesën për t’u regjistruar ka legjitimitetin e plotë. Në pikëpamje formale, zoti Lulzim Basha ka legjitimitetin për të paraqitur kërkesën e PD si subjekt zgjedhor. Në vlerësimin tim duhet që ky autorizim, duhet të jetë plotësisht i qartë dhe i plotë, në lidhje me tagrat e të autorizuarit. Dokumentacioni për regjistrtimin e PDSH, i paraqitur prej jush, ka një mangësi themelore, deklarata solemne duhet të jetë e nënshkruar nga vetë kryetari i partisë zoti Lulzim Basha. Por rezulton se është e nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj, i cili është autorizuar nga zoti Basha. Në bindjen time, kjo është një dokument që duhet nënshkruar vetëm nga kryetari i partisë. Paraqitja e këtij dokumenti është kusht për pranimin e regjistrimit të një partie politike si subjekt zgjedhor. Deklarata solemne e kryetarit të partisë, duhet të nënshkruhet vetëm nga kryetari i partisë. Përmbajtja e nenit 64 është shumë e qartë. Përgjegjësia e kryetarit të partisë për të bërë këtë deklaratë, është në anologji me përgjegjësinë e një dëshmitari. Ajo nuk mund të transferohet te të tretët. Kam gjithë të drejtën të them sa vijon. Kjo vendimmarrje është tërësisht në vlerësim ligjor të fakteve dhe në interpretim të ligjit zgjedhor, mbi procedurat si subjekt zgjedhor. Nuk ka asnjë interes politik apo tjetër. Mos pranimi i kërkesës së PDSH, me kryetar Lulzim Basha si kryetar, kundër këtij vendimi keni të drejtën e ankimimit brenda tre ditëve në KAS.