Çifti Berisha-Meta, tollumbacet e fryra të protestave pa peshë

Si në Korrik, edhe tani, opinioni u fry nga mediat që mbështesin e financojnë dy dinosaurët e politikës shqiptare, të cilët, përveç Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, ja kanë kaluar çdo anëtari të Byrosë Politike të regjimit komunist.

Fryrja që iu bë mediatikisht manifestimit të së Shtunës, ndodhi identike si në Korrik, për të krijuar përshtypjen se do të bëhet nami, se do të ketë aksionë përtej politikës.
Po përse bëhet e gjithë kjo fryrje, e në fund, kemi të bëjmë me një manifestim të pastër politik të Sali Berishës e Ilir Metës, të cilët i përsërisin Edi Ramës: Më prit se erdha, e një minutë më pas nis puna për protestën e radhës?

Sepse çifti i dinosaurëve kërkon të bëjë politikë pikërisht me ajrin, me boshllëkun, me namin që nxisin mercenarët e tyre, pasi nuk kanë asnjë mundësi që të bëjnë politikë normale.

Dy janë rrugët që një lider apo opozitë në një vend ndjek. Ose krijimi i një alternative të besueshme për të marrë shumicën e votave të qytetarëve, ose nxitja e një proteste apo revolucioni, i cili si proces bën që të rrëzohet elita në pushtet, e vendi të futet në zgjedhje normale e të lira parlamentare.

Të parën, pra, ngritjen e një alternative politike as Berisha e as Meta, nuk kanë as mundësinë, as aftësinë e kthjelltësinë ta bëjnë dot. Po t’i shikosh fjalimet e tyre në protestën e së Shtunës, vëren se ata janë tekstet më të dobëta që dikush ka dëgjuar prej tyre në 30-vjeçarin që kanë pasur gjithçka në këtë vend. Kjo pasi, ata që i kanë përgatitur, janë natyrisht këshilltarët me dekadentë që mund të gjesh në treg, por nga ana tjetër, nuk është se Berisha e Meta i kanë kushtuar rëndësi përmbajtjes së propozimit apo lëndës politike.

Sali Berisha përdor si material të gjithë ato që ka bërë në Qeverinë e tij, pa u lodhur e pa e çarë kokën që të hartojë teza të reja, për t’ju përshtatur kohës.
Shumë e thjeshtë, atyre të dyve nuk u intereson që të bëhen alternativë, pasi nuk mund të jenë të tillë. E kjo, jo thjesht prej ndërshkimit ndërkombëtar, që edhe ai është një faktor shumë i rëndësishëm, por se janë dy politikanët më antipopullorë në vend. Të gjitha sondazhet që janë bërë publike, apo edhe ato që zotërojnë vetë dy “pleqtë e Krujës”, i rendisin me një urrejtje popullore që i kalon 70% të kuotave te njerëzit që votojnë. Nëse këtu më pas futet edhe diaspora, atëherë ata janë akoma edhe më keq.

Ndaj “Coli me Lolin” duan të mbajnë këtë pozicion minorance, për të kapur këndin e tyre që të mbrojnë bizneset e të shpëtojnë veten, fëmijët e familjet nga hetimet e sekuestrimet.
Gjithashtu, duke mbajtur këtë pozicion, ata duan të diktojnë që të jenë faktorë të rëndësishëm në opozitën që mund të bëhet alternativë. Ndaj dhe nuk lënë pjesën normale të PD-së apo opozitës që të ngrihet e të modernizohet.

Ndaj dhe çdo kandidat që duhet të dalë për kryetar bashkie, duhet që të ketë certifikatën apo lejen e Saliut, Ilirit, të birit të Saliut, të bijës, Monikës, e enturazhit të tyre të ngushtë, ku një pjesë e madhe janë ende zotërues të koncensioneve që Saliu e Iliri i dhanë kur ishin në Qeveri. Plus lekët që i marrin Ramës dhe oligarkëve të tij, duke u sjellë si gjobvënës apo lypsarë.

Si do të ecë politikisht kjo lloj opozite që idhtarët e fryjnë e fryjnë, e në fund tollumbacja shfryhet e squllet siç ndodhi pas protestës kur premtuan se do të rrëzojnë Edi Ramën? Nuk do të ecë, thjesht do të vegjetojë, deri sa të vijë dita që të ndodhë ndonjë bing-bang politikë nga ndërkombëtarët, SPAK-u, apo edhe dalja e një grupi apo force të re politike.

Por sa të vegjetojnë ata, jo vetëm Rama do të bëhet gjithnjë e më shumë kënetë, e mjedisi politik do të prodhojë shumë idiotësira, që tërheqin gjithnjë e më shumë idiotë.
Qoftë si avokati i fantaksur, që kërcënon SHBA se do ta qërojë nga Shqipëria, apo ai i shkreti me thikë në dorë pas dopjos së tretë me fërnet kamze…

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej