Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është përplasur me homologen serbe Ana Brnabiç në Forumin e “Bled”-it që po mbahet në Slloveni.
Kryeministrja serbe ishte e para që provokoi kur u pyet për normalizimin e raporteve mes tyre, si kusht për të dyja vendet për hyrë në BE. Ajo u shpreh se nuk e sheh Kosovën fare si pjesë të BE, duke deklaruar se nuk e njohin 5 shtete.
“Së pari për mua dua të them është një vend, nuk ka dy vende. Kosova, e ashtuquajtur Republikë e Kosovës nuk njihet nga ana ndërkombëtare. Nuk është pjesë e OKB. Nuk besoj të jetë pjesë e BE përderisa ka 5 vende që nuk e njohin. Normalizimi që është në interes të të dyja vendeve dhe gjithë rajonit është diçka në krye të prioriteteve tona. Normalizimi fillon me paktin e Brukselit të firmosur në prill 2013”, tha ajo.
Por Albin Kurti ju kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë. Ai tha se 94 për qind e kosovarëve mbështesin BE, teksa tha se Kosova ka vënë sanksione ndaj Moskës dhe Serbia jo.
“Të mbështesësh Kosovën për në BE, ne në Kosovës e kemi 94 për qind. Ne kemi sanksione ndaj Rusisë, Serbia jo. Nuk e distancojnë veten e tyre as nga Millisheviçi as nga Putini. Nuk ësht e thjeshtë për ne. Unë dua të normalizoj marrëdhëniet dhe kjo do ndodhte nëse do ishte p.sh Republika Çeke. Por me Serbinë është e vështirtë. Normalizimi nga pikëpamja psikologjike do të thotë mungesë konfuzioni mes realitetit dhe fantazizë”, tha ai.
Në forumin e Bledit mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Ai u shpreh skeptik mbi deklaratën e Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që tha se pret që në vitin 2030 vendet të jenë gati për anëtarësim.