Kanë dalë më shumë detaje rreth arrestimit të ish-shoferit të Ardi Veliut. Hetimet nisen nga një sinjal i ardhur nga Franca që në fillim të nëntorit se atje vidheshin sende me vlerë dhe kontrabandoheshin në vendin tone.
Në mesin e personave të denoncuar nga autoritetet franceze ishin edhe një familje që, sipas të dhënave, kishte lidhje të forta në strukturat e policisë së Shtetit.
Dhe emri i parë që u vu në dyshim ishte pikërisht ish-shoferi i Ardi Veliut, drejtuesit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Në hetim bëhej fjalë edhe për familjen e tij dhe të përfshirë në këtë aktivitet ishin edhe një sërë efektivësh të pikave doganore nga hynte malli.
Sipas të dhënave hetimore, emri i Sokol Idrizaj, shoferit të Ardi Veliut, ka dalë si pritës i disa çantave të dërguara nga Franca në drejtim të vendit tonë. Idrizaj është marrë në pyetje dhe ka treguar para oficerëve të BKH-së, rrethanat e pritjes së këtyre dërgesave. Zyrtarisht u saktësua se ndaj tij por edhe personave të tjerë të dyshuar nga SPAK, deri në atë fazë ku ndodheshin hetimet, nuk ishte marrë asnjë masë ndaluese.
Nga Franca, këto çanta mësohet se janë dërguar nga vajza e Idrizajt që jeton dhe studion atje. Sendet me vlerë dyshohet se janë grabitur nga shqiptarë të ndryshëm në Francë dhe transportoheshin në rrugë të ndryshme në Shqipëri, kryesisht përmes autobusëve. SPAK pretendon se më pas këto sende shiteshin në dyqane të ndryshme, ku mësohet se dy prej tyre janë vënë në pranga.