Ka përfunduar me emocione ndeshja mes Laçit dhe Dinamos, ku kurbinasit kanë triumfuar në shtëpi me rezultatin 2-1 ndaj bluve të kryeqytetit, e vlefshme për javën e 29-të në Kategorinë Superiore.
Sfida nisi vrullshëm me kurbinasit në avantazh pas 35 sekondash, ku Saliu Guindo ka shënuar dhe duke mposhtur portierin e dinamovitëve, Simon Simoni.
Goli i barazimit erdhi nga një debutues, 19-vjeçari, Devid Fejzulla, i cili ka ndihmuar blutë e kryeqytetit të rikthenin baraspeshën.
Ndeshja kishte ritëm dhe emocione, ku për shumë minuta u zhvillua nga porta në portë duke shpërdoruar të dyja skuadrat shumë raste që mund të shkonin në avantazh.
Në minutën e 86′ ishte Dejan Zarubica, i cili rikthehet pas shumë ndeshjesh për të luajtur duke shënuar me penallti për kurbinasit, pas kontaktit që kishte Julian Shehu me Rexhinaldon në zonë.
Kjo fitore konfirmon Laçin në vendin e dytë duke grumbulluar 50 pikë, ndërsa Dinamo nuk përfiton nga humbja e Egnatias dje ndaj Tiranës, dhe blutë aktualisht janë me një këmbë në Kategorinë e Parë, ku renditen në vendin e parafundit në kuotën e 23 pikëve, -8 nga rrogozhinasit, të cilët mbajnë pozicionin e “Play-Out”-it.