Ditë shumë e mirë për Republikën, përse e përdori Ilir Meta Presidencën?!

Institucioni më i lartë i Republikës, Ilir Metës nuk i ka shërbyer si një mundësi për të treguar idetë dhe përvojën e tij politike, për një model të tijin presidencial. Atij, Presidenca i ka shërbyer vetëm si një antiplumb për të mos depërtuar plumbat e drejtësisë dhe të ndërkombëtarëve.

Sot është një ditë shumë e mirë për Republikën. Kjo pasi nga posti më i lartë i saj, ai i kreut të shtetit largohet një prej politikanëve me rekorde dhe perceptimet më negative nga ana e shqiptarëve.

Megjithëse ka pasur mundësinë të ngjitet në postet më të larta të Republikës së Shqipërisë: atë të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit, Ilir Meta nuk u bë kurrë një shtetar, por mbeti një aktor grindavec dhe i vogël i allishverisheve e intrigave politike.

I ardhur në politikën shqiptare si një student e pjesëtar i një familje të mesme si të gjithë në vitin 1990, Meta sot jeton në një vilë në një zonë rezidenciale të Tiranës ku banojnë pjesa më e madhe e të gjithë kastës politike të vendit që quhet “Kodra e Diellit”. Por ikonike është vila e tij në Gjirin e Lalzit, e cila siç e ka thënë vetë Monika- bashkëshortja e Ilirit në një intervistë televizive-ka banjo edhe për macet.

Ajo intervistë është zhdukur nga të gjitha serverat në internet, pasi mund të shërbente si një provë reale e një babëzie, term që është nofka më e përdorur për Ilir Metën.

Po përse ai pranoi të bëhet President i Republikës dhe për çfarë e përdori postin më të lartë të shtetit shqiptar?

Kur u zgjodh President, më 28 prill 2017, Ilir Meta nuk mori votat e Partisë Demokratike, e cila mungoi si në seancën e zgjedhjes, ashtu edhe në seancën e betimit. Megjithatë, deri në marrjen e detyrës Ilir Meta ndërmori një fushatë të çmendur zgjedhore për LSI-në në votimet e 25 qershorit 2017. Premtoi në televizione se do të ndalonte, pengonte dhe do t’i shkurtonte jetën politike Edi Ramës. Ndaj të cilit në publik u shpall si armik dhe kundërshtar i fortë, duke mbushur mendjen e shumë mbështetësve radikalë të opozitës.

Të cilët, edhe e votuan LSI-në në zgjedhjet e 2017-s, ku Meta mori numrin më të madh të deputetëve që kishte arritur ndonjëherë- 18 sosh, por që nuk i shërbyen politikisht për asgjë.

Përfundimisht, Ilir Meta jo vetëm që nuk ja shkurtoi jetën politike Edi Ramës, por i dha atij mandatin e tretë qeverisës, duke e futur kështu opozitën në një stinë të rëndë depresioni e kaosi dramatik. Përveç këtij objektivi që Ilir Meta nuk arriti, si President i Republikës do të mbahet mend vetëm për karagjozllëqet e rrezikshme që hidhte në televizione, në gjendje intoksikimi të lartë, por edhe për dekretin më të pandodhur ndonjëherë; atë të çdekretimit të një dekreti të firmosur nga vetë ai.

Bëhet fjalë për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 korrikut 2019, por që nuk ja zbatoi askush.

Nga aktet e tjera që ka ndërmarrë Ilir Meta si President, mund të përmenden vetëm cic-micet për të mos dekretuar Sandër Lleshin Ministër të Brendshëm, Gent Cakaj të Jashtëm, e gjëra si këto. Por në thelb, presidenca e Ilir Metës nuk ka asnjë akt apo veprim që të shërbejë si një legacy e pesëvjeçarit të tij në krye të shtetit shqiptar.

Po pse ka ndodhur kjo?

Sipas të gjitha gjasave, sepse institucioni më i lartë i Republikës, Ilir Metës nuk i ka shërbyer si një mundësi për të treguar idetë dhe përvojën e tij politike, për një model të tijin presidencial. Atij, Presidenca i ka shërbyer vetëm si një antiplumb për të mos depërtuar plumbat e drejtësisë dhe të ndërkombëtarëve.

E meqë ra fjala te ndërkombëtarët, Ilir Meta nuk ka bërë asnjë vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara si president i Republikës, nuk e ka bërë një të tillë as në Britaninë e Madhe. Ai ka zhvilluar vizita zyrtare në Gjermani dhe Itali, në fillim të mandatit të tij, por që më pas u izolua ndërkombëtarisht. Në selinë e Presidencës së Shqipërisë nuk ka ardhur asnjë President apo kryeministër i një vendi perëndimor, të cilët edhe kur e kanë vizituar Shqipërinë kanë shmangur takimet me Presidentin.

Si përfundim mund të thuhet se Ilir Meta nuk i dha një vlerë të shtuar institucionit të Presidencës, edhe pse është një politikan me përvojë dhe kishte pasur në dorë dy postet e tjera më të larta të shtetit. Por thjesht i dha kastës politike një mundësi për të fuqizuar habitatin e saj kënetor që e kanë mbajtur peng Shqipërinë për 30 vjet! /Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej