Ditmir Bushati, i vetmi politikan që mund të shkundë pushtetin e dhunshëm të Edi Ramës

Më 4 shtator, Edi Rama mbush 10 vjet në pushtet, i cili ka ardhur gjithnjë duke u forcuar. Vetëm në aspektin personal, vetëm rrethi i tij, apo njerëzit që ai ka dashur t’i forcojë.

Në 10 vjet, Edi Rama nuk i ka dhënë Shqipërisë një klasë politike të re, një grup politikanësh që të jenë reference, jo vetëm e Partisë Socialiste, por edhe e shoqërisë, e institucioneve.

Edi Rama nuk ka formuar në këto vite ministra që të forcojnë individualitetin e tyre, pasi sapo kjo ka ndodhur, i ka larguar, dëmtuar e rrënuar.

Ndaj sot kemi një nivel të degraduar qeveritarësh, ku asnjë individualitet, le pastaj personalitet politik, mund të formohet normalisht, qoftë edhe për të krijuar atë kohezionin normal të ballafaqimit e debatit, që është i nevojshëm në çdo shoqëri.

Mori një ekonomist klasi për ministër financash, si Shkëlqim Cani, profesor e ish-Guvernator i Bankës Qendrore, me një CV që kushdo e ka zili, e pas një viti e largoi si një dështak.

Mori Fatmir Xhafajn, një deputet veteran socialist, jurist me profesion, i cili së bashku me ndërkombëtarët hartoi substraktin e reformës në Drejtësi, e emëroi ministër të Brendshëm. E largoi më pas, duke e hedhur si një limon të shtrydhur.

Mori një gjeneral me emër ushtrie si Sandër Lleshajn, i cili i mbajti ministrinë e Brendshme në kohë lufte me opozitën, më pas e hodhi si ‘kartpecetë’. Njëjtë me Saimir Tahirin, të cilin e solli si profil të një politikani të së majtës së re, e dihet si e bëri kurban vetëm e vetëm që të ruajë pushtetin personal.

Ditmir Bushatin, ministër i jashtëm i Ramës, i cili jo vetëm që nuk ka bërë asnjë gabim gjatë punës së tij, por sa ishte ai, Rama nuk bënte dot asnjë takim ndërkombëtar, pasi referenca ishte ministri i tij; e largoi pikërisht kur e pa se po i bënte hije.

E patë Edi Ramën në Blend të Sllovenisë, ku lëshoi batare budallallëqet e gafat e frikshme në lidhje me Ukrainën.

Nëse një kryeministër i një vendi të NATO-s do të thoshte ato idiotësi, që “duhet të jemi në luftë për t’u bërë vend anëtar i BE-së”, do ishte shkarkuar menjëherë e nuk puthte më në politikë.

Lufta në Ukrainë është një përplasje civilizimesh, një qëndrim parimor i Perëndimit, e nuk ka lidhje me gara se kush është më i fortë e kush bën sherr.

Megjithatë, Rama, duke qenë se politikisht është më dinak se të gjithë, ka ndjekur një strategji mjaft perfide. Ka ndjekur formulën bizantine “përça e sundo” në formën më të ashpër të mundshme. Aq sa sot nuk ka një grup real që mund të konsiderohet rrezik potencial për të.

Opozita e Berishës dhe e Metës është e diskretituar, ajo e Lulzim Bashës është e pafuqi, ndërkohë që së vetmes kolonë që Edi Rama i frikësohet është revolta brenda PS-së. Jo më kot, ai mori masa të forta pas intervistës së Fatmir Xhafajt, i cili kërcënoi se do t’i kundërvihet.

Rama ka mbështetur e mbështet vetëm grupin e të fortëve që ka lidhje me strukturat kriminale, dhe të gjithë politikanët potencialë i dërrmon.

Ndaj, e vetmja alternativë, apo rrugë për ta dobësuar, madje për ta rrëzuar këtë autokrat ballkanik, siç e kishte shkruar pak ditë më parë diplomati i njohur austriak Florjan Biber, është një zgjim dhe organizim i politikanëve që ai ka rrënuar nga e majta.

Por ai njeri që duhet të marrë përsipër këtë akt, duhet të jetë krejt e kundërta e Edi Ramës, e në radhë të parë të jetë sa më pak ose aspak i kompromentuar dhe i përfolur për korrupsion. Të ketë të dhëna shtetari, aftësi intelektuale e natyrisht njohje e interlekutorë ndërkombëtarë.

Në këto kritere, njeriu më i përshtatshëm është Ditmir Bushati. I larguar nga ministria e Jashtme jo për paaftësi, jo për dështim apo probleme gjatë mandatit, por vetëm për t’i hapur vend një analfabeti axhami që e kishte sjellë Baton Haxhiu.

Madje, Bushati është i pari socialist që është përplasur me shefin e tij për një çështje të rëndësishme e bazike, siç është ajo e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Bushati ka dalë hapur e i ka thënë “Jo”, duke rrezikuar kështu postin. E pas asaj kohe, Ditmir Bushati u largua nga grupi parlamentar e nuk ka një rol aktiv brenda PS-së.

Ndërkaq, nga ana tjetër, ish-ministri i Jashtëm është një nga ato politikanët që ka ende grupin e tij brenda PS-së, me të cilët mban lidhje dhe i ka të gjitha gjasat për të organizuar një lëvizje. E cila tani për tani është shpresa e vetme për të rrezikuar pushtetin e dhunshëm të Edi Ramës. / Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej