Ditën e djeshme pati një zhvillim tepër të bujshëm në Prokurorinë e Posaçme. Organi i ngritur me aq bujë në kuadër të reformës në drejtësi ka vendosur të hapë një prej dosjeve më gjakatare në vend, atë që njihet si “Dosja Tropoja”. Janë 200 djem që janë vrarë për shkak të konflikteve dhe ndërhyrjes së politikës, por drejtësia ka qenë e pafuqishme të veprojë.
Në këtë prokurori, një vit më parë u dorëzua një padi nga Muharrem dhe Zyflie Haklaj, të cilët akuzojnë Sali Berishën dhe 14 emra të tjerë si të përfshirë në vrasjen e djemve të kësaj familje. Dje dëshmoi në SPAK për 12 orë, Aishe Haklja, vajza e madhe familjes, e cila bën përgjegjës për vrasjet, Sali Berishën.
Në padinë që babai dhe motra e saj kanë dorëzuar, Berisha akuzohet si përgjegjës në shumë episode, ndërkohë që ata kanë kërkuar të thirren si dëshmitarë një numër i madh personash. Po ashtu ka dhe prova shkencore, audio dhe video, si dhe një dëshmitar sekret që hedhin dritë mbi këtë ngjarje dhe lëkundin pozitat e Berishës.
SPAK-ut i është kërkuar të pyeten me cilësinë e dëshmitarit shtetasit Muharrem Haklaj, Hamdi Haklaj, Ajshe Haklaj, Zylfije Haklaj, Jaho Mulosmani, Izet Haxhia, Manush Selivrada, Drenicë Haklaj, Bujana Basha, Luljeta Selivrada, Bylbyl Lanaj, Hazir Dega, Nuredin Dega, Sokol Koçiu, Azgan Haklaj, Is Selim Kërrnaja, Ali Gjoni, Besnik Vidrica, Shpend Ali Mulosmani, Ndue Gjeloshi, Gjykë Nokashiqi, Latif Nokashiqi, Fatmir Daka, Fatmir Arif Arifaj, Gani Kërrnaja, Avdi Buçpapaj. Gjithashtu në kallëzimin penal thuhet se do të deklarohen të tjerë persona pasi të ketë filluar procedimi penal, sepse janë të rrezikuar me jetë nëqoftëse do të deklarojnë për sa kanë parë.

Pjesë nga padia e Haklajave ku akuzohet Berisha
Nisja e vrasjeve
Në datën 19 qershor 1997, Sali Berisha që ishte ende President i Republikës, i shoqëruar nga eskorta dhe mbështetësit e tij, shkuan në Tropojë për të bërë fushatë elektorale. Në miting Sali Berisha ka akuzuar ish kandidatin për deputet të PS Din Selimaj si “të shitur të Beogradit”, si të lidhur me UDB-në e Serbisë etj! Viktima e vrarë Shkëlqim Haklaj, shkoi në podium, i shkuli mjetet e fonisë Sali Berishës dhe e akuzoi atë si njeri të mbrapshtë dhe të pandreqshëm, duke i thënë gjithashtu se të qenurit vet agjent i vjetër i UDB-së, kërkon t’ua veshi familjeve atdhetare të Tropojës.
Sali Berisha pasi pyeti dhe i thanë që personi që bëri këtë veprim ishte një ndër vëllezërit “Haklaj”, djali i Muharrem Haklaj u tha truprojave të tij si dhe mbështetësve të tij Myftar Lumneshi, Përparim Hyka, Haki Hoxha etj, që “E dua të gjallë ose të vdekur Shkëlqim Haklajn në Tiranë”. Tagrin për të urdhëruar shoqërimin, arrestimin apo transferimin e një personi e kanë vetëm organet e policisë së shtetit dhe të drejtësisë, bazuar në prova dhe fakte, që konfirmojnë kryerjen e një vepre penale. Ndaj, urdhri i Berishës për të ‘marrë me vete’ Shkëlqim Haklajn është urdhër për rrëmbim. Në trazirat e vitit 1997, me shpërbërjen e Komisariatit të Policisë së Tropojës, ‘Komiteti i Shpëtimit’, i përbërë nga forcat politike, aktivizon Fatmir Haklajn për riorganizimin e komisariatit dhe vendosjen e rendit dhe të qetësisë në Tropojë. Nga fundi i këtij viti Fatmir Haklaj emërohet shef i Komisariatit të Tropojës. Kujtojmë se ishte pikërisht Fatmir Haklaj ai që pengoi dërgimin e forcave të organizuara dhe të armatosura drejt Vlorës për të shtypur revoltat popullore në mars 1997. President i vendit ishte Sali Berisha. Ky fakt njihet botërisht.
Në datë 18.09.1997 oficeri i Policisë së Komisariatit të Shkodrës, Haki Hoxha, bashkë me Guxim Biberajn, organizojnë një miting të paligjshëm, të iniciuar nga Partia Demokratike e Sali Berishës. Fatmir Haklaj, duke qenë në detyrën e Shefit të Komisariatit, nuk e lejoi zhvillimin e këtij mitingu. Ai merr pjesë në shpërndarjen e këtij mitingu të paligjshëm duke qëlluar me shuplakë publikisht Haki Hoxhën. Pikërisht është ky një nga drejtuesit e organizatës kriminale. Pasi u vu në dijeni edhe të kësaj ngjarje, Sali Berisha ka urdhëruar Haki Hoxhën etj të krijonin një bandë të armatosur dhe një organizatë kriminale, pjesëtarë të së cilës ishin Haki Hoxha, Jonuz Hyka, Përparim Hyka, Myftar Lumneshi, Hajredin Haluci, Tahir Sejd Hoxha, Iljaz Adem Hoxha, Ilir Adem Hoxha, Selim Sejd Hoxha, Agim Sejd Hoxha, Çut Sylejman Neza, Sadri Sylejman Neza, Xhafer Baram Hoxha, Medi Baram Hoxha, Hysni Beqir Gosturani, Guxim Qazim Byberi etj, të cilët nën drejtimin e Sali Berishës dhe përmes urdhrave të tij.
Dëshmitari okular
Dëshmitar okular në vendngjarje është edhe një fshatar nga fshati Luzhë, të cilin për arsye sigurie emrin do e paraqesim gjatë fazës së hetimeve. Nga ky atentat Arturi Demiri ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa Shkëlqim Haklaj ka mbetur i plagosur rëndë dhe kur ka dal nga makina ka qëlluar në drejtim të pritës duke i thirrur Haki Hoxhës ‘’A’ty të pagoi Saliu me n’a vra o Haki’’. Këto fjalë i ka vërtetuar edhe e kunata e Haki Hoxhës, (gruaja e Shaqir Hoxhës), e cila ka pohuar se Shkëlqimi kishte mbetur i gjallë dhe i ka thirrur Haki Hoxhës dhe Avdi Bushpepes. Haki Hoxha nga dt 05.01.1998 e në vazhdim nuk ka shkuar në punë në Komisariatin e Policisë Shkodër, sikurse edhe vëllai i tij Qamil Adem Hoxha, nuk ka shkuar më në punë në Degën e Sigurimeve Shoqërore “Bajram Curri”, dhe djali i tij është mbyllur gjithashtu në shtëpi, duke e lënë shkollën e mesme. Njerëz të afërm të Familjes “Haklaj” nga fshati Luzhë, kur kanë ardhur në ceremoninë mortore në datën 06.01.1998 në shtëpinë e Muharrem Haklaj, kanë pohuar se rruga që kishin bërë kalonte te shtëpia e Haki Hoxhës dhe kanë parë në oborrin e shtëpisë së tij shumë njerëz të armatosur. Në datën 05.01.1998 në shtëpinë e Medi Baram Hoxhes është zhvilluar një mbledhje e Lagjes. Megjithëse kjo mbledhje ishte planifikuar të zhvillohej në orën 18.00, për shkak të Medi Hoxhës është zhvilluar kur ka mbërritur aty ky person në orën 22.00. Të pranishmit në këtë mbledhje deklarojnë se Medi Hoxha ka ardhur në mbledhje me rrobat ushtarake lara-lara me të cilat kishte qenë në pritën e ngritur kundër Shkëlqim Haklaj.
Thirrjet e Berishës
Banda e Armatosur e krijuar nga Sali Berisha pas ngjarjes së 19 qershor 1997, ku u qëllua me armë dhe ju prish mitingu, dhe ku Sali Berisha kërkoi që Shkëlqim Haklajn t’ia sillnin të gjallë në Tiranë, duke i urdhëruar njerëzit e tij që ta rrëmbenin, sikurse e ka pohuar vet një fakt të tillë, po funksiononte më së miri dhe kishte ekzekutuar tashmë dy vëllezërit Shkëlqim dhe Halil Haklaj, si dhe disa persona të tjerë, sikurse përshkruam më lartë. Kjo Bandë ishte vënë në ndjekje Fatmir Haklajt, duke e gjurmuar atë ngado që lëvizte. Në Gazetën RD të datës 26.10.1999 Sali Berisha i bënë thirrje të hapur, e nxitë dhe e frymëzon Bandën e Armatosur që kishte krijuar në datën 20 qershor 1997 për të vrarë Fatmir Haklaj. Gazeta e kësaj date provon plotësisht ekzistencën e Bandës së Armatosur të udhëhequr nga Sali Berisha dhe urdhrin e tij të prerë për të vrarë Fatmir Haklaj. I ndjeri Gani Malushi, Shefi i Komisariatit, i ka deklaruar Muharrem Haklaj, Hamdi Haklaj, Jaho Mulosmanit dhe Zylfie Haklaj se në Bandën e Armatosur që i ngriti pritë dhe e vrau Fatmir Haklaj te shtëpia e Haxhi Jakupit, kishte veç frymëzuesit dhe nxitësit Sali Berisha, edhe zyrtarë të institucioneve të policisë së shtetit, e madje arma e vrasësit, automatiku kallashnikov është e njëjta armë që vrau Shkëlqim Haklaj.
Ylli Haklaj qëllohet me snajper
Në datën 03 dhjetor 2000, rreth orës 12.50’ të drekës, “Banda e Armatosur” e Sali Berishës, kanë qëlluar me snajper djalin dhe vëllain tonë Ylli Muharrem Haklaj. “Banda” dhe snajperat ishin pozicionuar në kodrat në lindjen e shtëpisë së Muharrem Haklaj, në një distancë prej afro 300 metra. I ndjeri Ylli Haklaj ishte afro 50 metra jashtë rrethimit të shtëpisë. Ndërsa Muharrem Haklaj ishte larg të ndjerit Ylli Haklaj rreth 100 metra larg, në livadhin aty pranë. Së bashku me të ndjerin Ylli Haklaj ishin edhe Is Selim Kërnaja dhe Bylbyl Baram Lanaj. Ky i fundit ka mbetur i plagosur, duke e zënë plumbi në faqe.
Organizimin e vrasjes së Ylli Muharrem Haklaj e bëri pikërisht Sali Berisha, duke u dhënë detyra degës së PD Tropojë, kryetar i së cilës ishte Azgan Haklaj. Në datën 28.11.1999, ditën e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, Sali Berisha dhe Azgan Haklaj organizuan një sulm kundër Komisariatit të Policisë Bajram Curri. Marrja në duar të e tyre të Komisariatit do të shoqërohej më pas prej Sali Berishës si “rasti domino” për të vepruar PD-ja e tij në të gjitha komisariatet e policive të vendit për të rrëzuar nga pushteti socialistët. Njerëzit që formuan “Bandën e Armatosur” për të s;lmuar dhe marrë në duar të e tyre Komisariatin e Policisë e udhëhiqte Azgan Haklaj. Ky është një fakt i njohur botërisht pasi është pasqyruar jo vetëm në aktet e Policisë së Shtetit, por kanë shkruar shtypi dhe e kanë transmetuar si lajm mjetet elektronike të kohës. Në këtë sulm kundër Komisariatit të Policisë mbeti i vrarë Syl Shaban Lusha, vëllai i Sali Lushës si dhe u plagosën shumë anëtarë të PD-së të Sali Berishës dhe të Azgan Haklaj që ishte në krye të tyre.
Kërcënimet e Berishës
Sali Berisha bëri shumë akuza në shtyp dhe në televizione për këtë sulm, duke përmendur si mbrojtës të Komisariatit të Policisë edhe Ylli Haklaj dhe Hamdi Haklaj, djemtë e Muharrem Haklaj. Në fakt qëllimi i Sali Berishës duke akuzuar Ylli dhe Hamdi Haklaj, si pjesëtarë të mbrojtjes së Komisariatit, ishte që të fuste në hasmëri Familjen e Syl Lushës me Familjen e Haklajve, si dhe për të “justifikuar” kështu hakmarrjen primitive të Sali Berishës kundër djemve të Muharrem Haklaj dhe të gjithë kësaj Familje të madhe. Dëshmitari kryesor dhe njeriu që ka dijeni të plotë se si u organizua sulmi ndaj Komisariatit të Policisë Tropojë në datën 28 nëntor 1999, kush e sulmoi atë dhe kush e mbrojti, kush e vrau Syl Shaban Lushën dhe kush i plagosi të tjerët, është ish Shefi i Komisariatit Ali Gjoni. Gazeta RD e Sali Berishës e datës 02.12.2000, një ditë para vrasjes së Ylli Haklaj, ka shkruar se mbrojtës të Komisariatit të Policisë ishin Ylli Haklaj, Hamdi Haklaj, Petrit Braha, Zeqir Braha etj. Këta persona kanë bërë edhe vrasjen e Syl Lushës dhe plagosjen e shumë të tjerëve në datën 28.11.1999. Përmes gazetës RD të një dite më parë Sali Berisha u dha urdhër “Bandës së Armatosur” që krijoi dhe udhëhiqte që të vrisnin dy vëllezërit Ylli dhe Hamdi Haklaj në shenjë hakmarrje.
Emrat që panë vrasjet
Një ditë më vonë nga dhënia e këtij urdhri prej Sali Berishës, në datën 03.12.2000 u vra Ylli Muharrem Haklaj. Ndërsa Petrit Braha u tentua të vritet në datën 20.08.2001 prej bandës kriminale të armatosur të Sali Berishës, por mbeti invalid i përjetshëm nga plagët e plumbave që mori. Dëshmitar tjetër okular është vet Muharrem Haklaj, i cili “Bandën e Armatosur” të Sali Berishës që i vrau djalin Ylli Haklaj i kishte 300 metra larg. Vrasësit e Ylli Haklaj i ka parë Hamdi Haklaj, i cili në momentin që u bë atentati kundër vëllait të tij Ylli, ishte pranë tij për t’a thirrur që të vinte brenda në shtëpi se i kishin ardhur dy kunetrit (e Hamdiut) për vizitë, Hazir Dega dhe Nuredin Dega, të cilët janë gjithashtu dëshmitarë të kësaj ngjarje. Autorët e krimit të vrasjes së Ylli Haklaj i ka parë nga afër edhe dëshmitar Is Selim Kërnaja, i cili kur ka dëgjuar krismat nga afër, është fshehur pas një peme. Po kështu disa dëshmitarë të Lagjes “Aliaj” i kanë parë anëtarët e “Bandës së Armatosur” nga afër, pasi u kanë kaluar 2 metra larg tyre. Këta persona janë kërcënuar me vrasje prej autorëve të kësaj bande, nëse do të tregonin emrat e tyre.
Të gjithë dëshmitarët okularë në vendngjarje, të cilët i përmendëm me emër dhe mbiemër më sipër, kanë parë që personat që e bënë këtë vrasje të Ylli Haklaj janë: Përparim Adem Hyka dhe një person i gjatë, i cili mbante armën snajper, Miftar Musa Lumneshi, Out Sulejman Neza, Sadri Sylejman Neza, Tahir Sejd Hoxha, Selim Sejd Hoxha, Agim Sejd Hoxha. Këta tre të fundit e kanëdjalin e tezës Miftar Lumneshin. Të gjithë këta anëtarë të bandës ishin të veshur me rroba ushtarake, por ishin të gjithë pa maska. Muharrem Haklaj dhe Is Kërrnaja që ishin shumë afër me autorët e vrasjes së Ylli Haklaj në datën 3.12.2000, kishin edhe dylbi me vete dhe i kanë parë të gjithë vrasësit sikur t’i kishin para fytyrave të tyre, duke i njohur të gjithë një për një. Ndërsa Bylbyl Baram Lanaj, i cili ishte së bashku me të ndjerin Ylli Haklaj dhe që u plagos në faqe, deklaron se ka parë dhe njohur nga pjesëtarët e bandës së armatosur Out Sylejman Nezën, Përparim Hykën dhe Tahir Sejd Hoxhën. Dy dëshmitarë të fshatit Shushicë që kanë marrë pjesë në varrimin e Ylli Haklaj i kanë thënë Muharrem Haklaj emrat e 9 personave që ka parë në rrugë të armatosur që sapo e kishin vrarë Yllin, duke i thënë të 9-të emrat e tyre. Ata, nëse merren në mbrojtje prej organit të akuzës, janë të gatshëm të japin deklarimet e tyre për këtë ngjarje kriminale. /Pamfleti