Dritan Abazoviç, Njeriu anti-Milo në zgjedhjet presidenciale

Pra, në esencë Ura e Dritan Abazoviçit dhe grupi mediatik e sipërmarrës që e mbështet, i ka të gjitha mundësitë për të qenë çelësi për çdo parti që do të vijë në pushtet.

Ishte e çuditshme që edhe pse në orët e mëngjesit, rreth orës 02.00 pas mesnate, kur ra qeveria e Dritan Abazoviçit në Parlamentin e Malit të Zi, rrjeti u mbush me pllakate e ‘dacibao’ klishe. Në qasje patetike, palët pro dhe kundër politikanit kontrovers nga Ulqini kanë shprehur gëzim se iku një “tradhtar”, apo janë pezmatuar se u largua një “gjeni”.

Por përveç dalldisë së rrjeteve sociale, edhe mediat e Tiranës, Prishtinës apo edhe ato shqiptare në Mal të Zi, nuk se kanë sjellë arsye dhe argumente mbi atë që ndodhi të premten në Podgoricë dhe prognozën e saj.

Në lojë u futën edhe politikanët; Berisha e quajti një “Mark Milan”, pra një bashkëpunëtor i Krajlit të Malit të Zi, ç’ka është krejt një argument pa bazë. Dritani në ka armik më të madh në Podgoricë ka “Knjaz Nikollën” modern- Milo Gjukanoviç, e faktikisht deri sot nuk ka marrë asnjë vendim apo ‘larg qoftë’ të ketë çuar policinë kundër shqiptarëve.

Ajo që ndodhi në Podgoricë, pra rrëzimi i qeverisë së 43 të Malit të Zi, që për herë të parë në historinë e këtij vendi u drejtua nga një shqiptar, ishte një akt politik, i cili ka arsyet, lidhjet, dritë-hijet dhe pikëpyetjet e veta, ndaj një qasje racionale për të parë argumentet, është e dobishme për ta kuptuar situatën sa më mirë.

Abazoviç, erdhi e u bë kryeministër duke u mbështetur nga partitë e pakicave dhe grupi më i madh parlamentar ai i DPS-së së Milo Gjukanoviç, pa marrë pjesë në qeveri.

Nëse Dritani do të rrinte i qetë, do të mbante ison e grupit politik të Milo Gjukanoviç, ai nuk do të rrëzohej deri në verën e vitit 2024. E ka shumë gjasa, që duke ndjenjur në qeveri, ai të arrinte që të siguronte me mënyra klienteliste një rritje të votave që URA do t’i merrte në zonat ku banojnë shqiptarët në Mal të Zi.

Gjukanoviç nuk kishte pse ta rrëzonte, pasi në fund të fundit, nuk mund të gjente më një shumicë parlamentare; dy vjet më parë, ai kaloi në opozitë dhe pati një rritje eksponenciale të votave të malazezëve që nuk e duan. Përveç humbjes në zgjedhjet e përgjithshme, DPS humbi radhazi edhe zgjedhjet lokale në dy qytetet më të rëndësishme të vendit siç është Budva dhe Nikshiqi. Pra, shkurt Dritani i vyente Milos, e ai ja propozoi postin e kryeministrit që në verën e vitit 2020.

Por Abazoviç, nuk është një personazh që është ngritur si një partner i Milos, përkundrazi ai ishte kundërshtari më i madh i tij. Forcimi i kryeministrit aktual të Malit të Zi, të vetmit shqiptar që e ka mbajtur këtë post, vjen si pasojë e lëvizjes së një lobi shumë të rëndësishëm politik, të shoqërisë civile dhe mbi të gjitha i një lobi mediatik të Podgoricës.

Ky është lobimi i grupimit që zotëron median më të rëndësishme të Malit të Zi: ‘Vijestit’, që është edhe gazeta me tirazhin më të madh, televizioni numër një në Mal të Zi, si dhe portali me klikime të frikshme krahasuar me numrin e banorëve të vendit fqinj.

Abazoviç, pjesë e këtij grupimi, i cili është realisht anti-Gjukanoviç, por edhe një substrakt politiko- kulturor pro-perëndimor dhe pro-europian. Nga ana tjetër, ky grupim ka pasur dhe ka një marrëdhënie shumë të afërt me kupolën e Kishës së Krishterë, e cila duhet thënë se nuk përbëhet vetëm nga disa ‘popë’ të frikshëm që trembin dynjanë. Kisha Ortodokse është një institucion shumë i rëndësishëm që daton që nga koha e Stefan Dushanit dhe është pol shumë i fortë pushteti. Siç kemi edhe ne Janullatosin, Vatikanin, apo edhe grupimet brenda Bashkësisë Muslimane.

Në zgjedhjet e 30 gushtit, partitë proserbe të Knezeviçit dhe Mandiçit, që janë figurina të BIA-s Serbe, apo edhe demokratët e Aleksa Beçiçit, i cili financohet nga SNS e Vuçiç dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk do të kishin ardhur e nuk mund të vijnë asnjëherë në pushtet pa mbështetjen e grupit të qendrës së “Abazoviç- Vijesti”. Ky është një grup i qendrës, që sipas të gjitha rasteve do të jetë ‘king maker’ i politikës në Mal të Zi.

Gjukanoviç nuk mund të fitojë më asnjëherë me këtë rekord korrupsioni dhe jetëgjatësie në pushtet; fuqia e tij sa vjen e bie, por nga ana tjetër filoserbët që nuk kanë një fytyrë reale, por nxjerrin kukulla si inxhinieri mekanik, Zdravko Krivokapiç. Kryeministri i paaftë që do mbahet mend se organizoi zallamahinë e infektimeve me Covid në vendin pa infektim, vetëm sepse puthën Amfilohijen.

Pra, në esencë Ura e Dritan Abazoviçit dhe grupi mediatik e sipërmarrës që e mbështet, i ka të gjitha mundësitë për të qenë çelësi për çdo parti që do të vijë në pushtet.

Aktualisht, Gjukanoviç ka tentuar që të bëjë një marrëveshje me demokratët e Aleksa Beçiçit, çka do të thotë se në këtë mes ka dorë Vuçiç, i cili duket u frikësua nga marrëveshja e Kishës me Abazoviçin pa pyetur Beogradin.

Por Beçiç, nuk mund të bëjë marrëveshje me DPS-në që e ka konsideruar si e keqja e vendit, po e bëri veçse do të humbë pikë.

Në tetor, Mali i Zi përballet me zgjedhjet vendore, ku sipas të gjitha gjasave luhet gjithçka për atë që do të ndodhë vitin tjetër. Pikërisht kur do të zgjidhet edhe Presidenti i ri i Malit të Zi. Gjukanoviç ka thënë vazhdimisht se nuk do të kandidojë më, por edhe nëse e bën do të jetë më i dobët se kurrë. Nga ana tjetër, opozita nuk ka figurë tjetër për t’u përplasur me Milon apo me ndonjë kukull të tij. Duket se e gjithë loja po bëhet që Dritan Abazoviç të përfaqësojë opozitën malazeze kundër DPS-së vitin tjetër. Kandidati tjetër më i pranueshëm është Aleksa Beçiç, i cili rrëzoi Dritanin për ta dobësuar atë. Por, ka shumë gjasa që u dobësua më shumë vetë, pasi si ish-kandidati për president që ka sfiduar Milon; ish- diplomati Miodrag Lekiç, por edhe radikalët proserbë nuk pranuan që të hyjnë në lojën për rrëzimin e Dritanit. Sipas gjasave, do të ketë tre emra për president të vendit: Gjukanoviç ose kryebashkiaku i Podgoricës, Ivan Vukoviç, Dritan Abazoviç dhe Aleksa Beçiç. Deri më sot, Abazoviç, plus Kishës që është një lobim i fortë, por edhe partive opozitare serbe, ka me vete edhe pjesën e elektoratit malazez që kërkon të çmontojë korrupsionin dhe pushtetin e kalçifikuar nepotik e mafioz të Milos.

Shqiptarët, siç u pa në votim janë të ndarë; në Ulqin një parti- ajo e Mehmet Zenkës është me Milon, Fatmir Gjeka me Dritanin, ashtu si edhe Nikë Gjeloshi në Malësinë e Tuzit.

Luftën, Dritani e ka me Aleksa Beçiç, i cili pranoi të lidhet me “djallin” për të larguar “çetnikun shqiptar”. E Milo, si mjeshtër i vjetër me një lëvizje i ka goditur të dy rivalët e tij. Por Gjukanoviç nuk është më ai shkëmbi i fortë i disa viteve më parë e vetë nuk mund të kandidojë . Nga ana tjetër, Vukoviç nuk e ka karizmën e tij. Pikërisht për këtë ai po mundohet të luajë me dobësimin e dy gurëve më të fortë. Por Milo, Beçiçin ka gjasa që ta rrëzojë shumë më shpejt, kurse Dritanin, siç e treguan edhe zhvillimet e këtyre dy viteve, e ka shumë më të vështirë.

Ja, me fjalë të përgjithshme, ky është fjalëkryqi apo kombinacioni politik në Podgoricë. Po luhet për fronin e “Knjaz Nikollës” së shekullit XXI, e një prej pretendentëve është një djalë nga Ulqini. Kaq e thjeshtë është…/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej