Edona Bilali jep para në bazë preferencash dhe në konflikt të pastër interesi, ndërhyn në media për të fshirë lajmet

Këtë vit Ministria e Sipërmarrjes, me në krye Edona Bilalin, për herë të parë zhvilloi dhënien e granteve për të gjitha projektet e reja inovatore, individët bizneset por jo vetëm.

Gazetarët e emisionit investigativ “Piranja” kanë ndjekur disa nga rastet flagrante të dhënies së këtyre granteve në bazë preferencash dhe në konflikt të pastër interesi.

Emisioni investigativ ka marrë në shqyrtim rastin e një familjeje (babai, djali dhe vajza) të cilët ka përfituar mbi 50 milionë lekë apo rasti flagrant i përfitimit të grantit për start-up nga djali i drejtorit të FSHZ.

Ndërsa raste të tjera skandaloze, publikohen në këtë investigim, disa prej tyre pa asnjë lidhje me inovacionin, një kusht bazë për dhënie granti, siç është rasti i një të riu që ka përfituar 11 milionë lekë për publikim videosh nga atraksionet turistike të veriut. Një pasion që e kanë mijëra të rinj të këtij vendi.

 Çfarë janë “start-up(et)”

Bazuar në Nenin 3, pika d) të këtij ligji “Startup” janë individët dhe personat fizikë ose juridikë të regjistruar në regjistrin tregtar të Republikës së Shqipërisë, të cilët, referuar objektit të aktivitetit të tyre, janë konceptuar, krijuar dhe veprojnë me qëllim nisjen e realizimit dhe zhvillimit të një modeli biznesi, produkti dhe shërbimi inovativ dhe/ose teknologjik të veçantë, me potencial rritjeje të shpejtë, të zbatueshëm në praktikë, për përmirësimin e ndjeshëm të modeleve të biznesit, produkteve dhe shërbimeve ekzistuese.

Fillimisht Ministria e sipërmarrjes hapi shpalljen në faqen zyrtare  për mbështetjen  me grante për  individë, persona fizikë e juridikë duke përfshirë akademinë, Bashkitë, arsimin e mesëm dhe profesional, inkubatorë dhe përshpejtues, hapësira pune. Sipas njoftimit, Projekt-propozimet e paraqitura do të realizohen brenda vitit buxhetor 2022 dhe se thirrja  për startup dhe lehtësues do të qëndronte  e hapur nga data 16 MAJ 2022 – 5 QERSHOR 2022.

Abuzimet me përfituesit 

Siç edhe njoftoi ministria, rreth 400 biznese, individë, organizata jofitimprurëse, bashki, akademi paraqitën projektet e tyre për përfitimin e granteve për start up dhe pas vlerësimit në datën 13.7.2022 u shpallën fituesit.

Të gjitha aplikimet u shqyrtuan nga Komisioni i Vlerësimit, i cili do përbehej nga vetë ministria e sipërmarrjes, zonja Edona Bilali dhe katër anëtarë (një anëtare caktohet nga vetë ministri i sipërmarrjes, një anëtare përcaktohet nga ministri përgjegjës për rininë dhe fëmijët, një ekspert nga sistemi i ekosistemeve dhe start upeve, për të cilin më pas do të hapej dhe një konkurs, si dhe një anëtar nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim- AADF)

RASTI 1

Në listën e përfituesve të granteve, rezultojnë dy organizata jo fitimprurëse, “Qëndra Protik”, e cila ka

përfituar 3 milionë lekë të reja dhe qendra “Junior Achievment of Albania”, e cila ka përfituar më shumë se 58 milionë lekë të vjetra.

Me një vëzhgim të thjeshtë rezulton se këto dy OJF janë krijuar me mbështetjen e Fondit shqiptaro-amerikan të zhvillimit dhe janë partnere me të, pra me mbështetjen e njërit prej anëtarëve të komisionit.

Ndërkohë dy bashkëdrejtuesit e AADF, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli  janë gjithashtu anëtarë bordi në qendrën Protik.

Fondi shqiptaro-amerikan për zhvillim u pyet në lidhje me marrëdhënien me “AADF” dhe “Protik”, nëse ka një konflikt interesi dhe a jemi në kushtet e një gare të pandershme?

Në përgjigjen e kthyer AADF sqaron se Qëndra Protik është themeluar në vitin 2012 falë bashkëpunimit shumëpalësh të qeverisë së Shqipërisë, AADF, USAID dhe Microsoft, me qëllim nxitjen  e teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes.

Madje AADF pohon se ajo është një grantdhënës për qendrën Protik, me “Projection SDA by Protik”.

AADF në përgjigjen shteruese pohon se ka caktuar një anëtar në komisionin e vlerësimit, me kërkesë të Ministrisë së sipërmarrjes , por ndërkohë, pavarësisht vkm 313/ 2022 , AADF nuk është e përfshirë në asnjë aspekt në skemat e mbështetjes dhe zhvillimit të start upeve, pasi janë një iniciative ekskluzive e qeverisë shqiptare dhe se punonjësi i AADF nuk përfaqëson asnjë interes të fondit, por ka përgjegjësi personale.

Ajo që nuk kuptohet është se si mund të ketë përgjegjësi personale përfaqësuesi i AADF, kur ai është pjesë e komisionit të vlerësimit në ministrinë e sipërmarrjes,  vetëm sepse është pjesë e AADF  dhe përfaqësues i fondit?

Jo vetëm kaq, por AADF sqaron më tej se z. Sarapuli dhe z. Mata, dy bashkëdrejtuesit e fondit,  nuk kanë asnjë konflikt interesi duke qenë anëtarë të bordit drejtues të “Protik”.

Ajo që nuk kuptojmë është se si mund të vlerësosh projektin e një OJF që e ke krijuar në bashkëpunim me aktorë të tjerë, ndërkohë vetë drejtuesit e AADG njëkohësisht janë anëtarë bordi të qendrës Protik që ka rezultuar fituese? A mund të vlerësosh në këtë rast bashkëpunëtorin tënd ndershmërisht dhe objektivisht mes shumë të tjerëve?

Në lidhje me këtë konflikt interesi, u pyet edhe vetë qendra Protik në lidhje me projektin me të cilin kanë aplikuar, fazën e projektit dhe nëse kanë në përbërjen bordit drejtues anëtarë, që janë  pjesë e bordeve të tjera.

Qëndra Protik, në përgjigjen e kthyer sqaron se ka aplikuar e ka rezultuar fituese me projektin “TechLab by Protik”, për të cilin ka nënshkruar edhe kontratë me Ministrinë e Sipërmarrjes.

“Protik” sqaron gjithashtu se është një organizatë jofitimprurëse dhe si e tillë anëtarët e bordit të drejtorëve japin kontributin e tyre pa asnjë shpërblim, dhe se “Protik” nuk është në dijeni të të gjitha angazhimeve dhe kontributeve që ata japin në borde të tjera.

RASTI 2

Një prej shoqërive që ka përfituar para publike është ajo e Fladi i Agollit, administrator i HMS sh.p.k, i cili ka përfituar 4.580.000 lekë të reja fond.

Problemi është se Flladi Agolli, i cili ka përfituar para publike është djali i Dritan Agollit, Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

I pyetur nga gazetarët Flladi Agolli nuk pranon të japë shpjegime dhe të thotë nëse ka konflikt interesi. Ai thotë shkurt se “informacion mund të merrni te Ministria”, duke mbyllur telefonin.

RASTI 3

Konkretisht “Skytech” dhe “3DSKY”.

Në subjektin SkyTech  administrator është Altin Bamllari dhe ortak Arbi Bamllari, djali i Altinit. Ky subjekt ka përfituar grant rreth 50 milionë lekë.

Ndërkohë 3DSKY është një subjekt ku administrator është Arbi Bamllari dhe motra e tij dhe kanë përfituar rreth 30 milionë lekë grant. Të dyja këto subjekte kanë adresë të njëjtë, një apartament në qendër të Tiranës. Ndërkohë  Arbi Bamllari, djali i talentuar në teknologji është ortak në të dyja kompanitë fituese.

Sipas VKM 312 i DATËS 11.5.2022 , të dhënat parësore dhe dytësore në regjistrin e start upeve ndër të tjera përfshihen edhe të dhënat e regjistrit tregtar, numri i identifikimit të subjektit . Si është e mundur që komisioni i vlerësimit nuk ka arritur të identifikojë subjekte që kanë adresë të njëjtë, dhe përfitues janë të njëjtit njerëz?

RASTI 4

Por le t’i kthehemi edhe njëherë kuptimit për start upe-ve, të cilin na e sqaron edhe vete ministria e Sipërmarjes. Edona Bilali në një interviste për mediat pohon se jo çdo biznes i ri është start up, nëse ai nuk ka të përfshirë inovacionin dhe shumëfishimin. Kësaj i mëshon edhe ish ministri Eduard Shalsi, i cili deklaron në media se start up do të thotë inovacion e teknologji. Por nëse shohim listën fituese, vërejmë projekte që vetëm me konceptin e start up nuk kanë lidhje.

Rasti është i djalit Terenc Pepa, i cili ka hapur një website me pamje të bukurive në veri të Shqipërisë, por edhe informacion për bizneset dhe hotelet. Nuk e dimë çfarë lidhje ka një website që ngjan me një blog personal me start upe? Po ky nuk është i vetmi rast çudie. Zonja Meliha ka përfituar grant për start up, për të blere një makineri që do t’i shumëfishoje punën me krimbim e mëndafshit, një  aktivitet artizanal, por nuk përfshin asnjë element inovacioni dhe koncepti për start up.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej