Frika nga sulmet kibernetike, presidenti kërkon kompjuter të sigurt. Deputetët shqetësohen për deklarimin e pasurisë

Presidenti Bajram Begaj është i pakënaqur me sigurinë e institucionit që ai ka marrë në drejtim nga paraardhësi Ilir Meta. Sulmi i hakerave në sistemet e policisë dhe ato të e-Albania ka alarmuar Kreun e Shtetit, i cili nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm i ka kërkuar para shtesë Kuvendit dhe Qeverisë për të mbrojtur sekretet shtetërore.

Florian Kali, Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë, tha: “Sot kemi vetëm një kompjuter që është kompjuter i klasifikuar. Unë mendoj që ta hapim më tepër sepse kemi dokumentacion të klasifikuar që prodhohet vetëm në një kompjuter në të gjithë institucionin. Dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, kthimi i godinës në parametrat e sigurisë të klasit A”.

Të njëjtin shqetësim për sigurinë kibernetike ndajnë edhe deputetët e Komisionit të Ligjeve, ndonëse jo për dokumentat e klasifikuar. Sistemi digjital i ILDKPKI tërhoqi vëmendjen e tyre, që pasuritë e deklaruara të mos bien në dorën e kujtdo.

Bardhyl Kollçaku, deputet i PS, u shpreh: “Kemi dhënë autorizimin që të dhënat të jenë për autoritetet që duhet të njihen me to, por jo të dhënat të jenë në pazar”.

Dhurata Çupi, deputete e PD, tha: “Ju e keni të siguruar këtë çështje, këtë sistem. Ndoshta e neglizhuat, por duhet buxhet”.
Ndërsa inspektori i ILDKPI, Arbër Basholli, tha: “Deri tani që flasim sistemi është i pastër, nuk kemi patur asnjë tentativë”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte probleme më bazike. Shkurtimi i fondeve nga Qeveria përmes akteve normative e kthen institucionin në debitor ndaj shtetit.

Emis Çërava, sekretar i Përgjithshëm i KLP, theksoi: “Sot na kanë bërë që të mos kemi fonde edhe për nevojat bazike, siç janë utilitetet, dritat dhe uji”.

Shqetësimin për veprimin e qeverisë që shkurton në mes të vitit paratë nga buxheti i institucioneve, e kanë ngritur në Komisionin e Ligjeve edhe përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë së Posaçme.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej