Gjatë vitit të parë pas shpalljes “non grata”, megjithëse në moshën 79-vjeçare, Sali Berisha manifestoi energji me lëvizjen Foltore, i karikuar nga një dozë inati për sulm e vetëmbrojtje përballë drejtësisë amerikane dhe për hakmarrje ndaj Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.
Ndërsa gjatë kësaj fushate, Sali Berisha ishte i lodhur dhe krejt i pezmatuar; me zë të venitur si i një pacienti me 100 diagnoza i sapodalë nga spitali dhe pa fuqi e pa motivim për të elektrizuar mbështetësit.
Ndoshta ka pranuar fundin e tij, ngaqë e kuptoi dhe u bind, se nuk mund të imponojë heqjen e damkës “non grata” me diversion, fyerje, kërcënime e shpifje ndaj Sekretarit të Shtetit e ambasadores së SHBA, por as me lëpirje të kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Në fund të kësaj fushate, po shohim një Sali Berishë të drobitur fizikisht, të dorëzuar psikologjikisht e mendërisht deri në atë farë derexheje, sa po e tallin patronazhistët e Lali Erit me montazhe e lajme false.
Duket sikur Saliu është në një pritje parazitare për të kaluar 14 maji, që do të jetë mbyllja e “revolucionit” të tij, të cilin thotë se do ta fitojë, por gjestikulacionet e fytyrës e tradhëtojnë, tregojnë humbjen, të cilën do ta justifikojë me një rebelim nga frëngjitë e mediave të Zenit e Fanes.
Gjendja e tij shpirtërore, tregon se kjo është fushata e fundit zgjedhore e Sali Berishës, politikanit të dërmuar e kapitulluar fizikisht e psikologjikisht; mbasi kemi parë që në çdo takim elektoral, madje edhe nëpër studio televizive, nuk është Saliu i para 2 viteve kur u shpall “non grata”, dhe as i para 1 viti kur udhëhoqi sulmin luftarak mbi selinë e PD.
Pas 32 vitesh, Sali Berisha 80-vjeçar, po merr me vete urrejtjen e shqiptarëve, përjashtimin nga PD; dështimin e lëvizjes për të hequr damkën “non grata”; betejën e humbur për vulën dhe drejtimin ligjor të PD; shpërfilljen e SHBA-BE; gjunjëzimin e turpshëm nga figurë kryesore, në “endacak” politik i futur nën çatinë e partisë së Ilir Metës./Pamfleti