Qeveria do të sekuestrojë pasuritë e Ervis Martinaj, i konsideruar si ish-mbreti i lojërave të fatit.
Lëvizja e autoriteteve ka ardhur më shumë se gjashtë muaj pas zhdukjes së Martinajt, teksa ende nuk dihet nëse është gjallë apo është vrarë.
Sipas burimeve se aksioni është përqëndruar në Lezhë dhe Fushë-Kuqe, ndërkohë që në përfundim të tij do të bëhet edhe bilanci i pronave të sekuestruara.
Ervis Martinaj ka qenë i njohur në fushën e lojërave të fatit ku ka pasur edhe një kasino “King Casino”, të themeluar në vititn 2011 dhe në prill të vitit 2012 e zgjeroi rrjetin edhe me kompaninë e basteve sportive “Albania Baste Live”. Në vitin 2013, një kompani e tretë lojërash fati u regjistrua në QKB në emër të nënës së 36-vjeçarit, nën emrin tregtar “Eurovis”, e cila është aktive, por jo më për bastet sportive por për shërbime të tjera.
Po ashtu, në ëmër të babait të tij, rezulton të jetë aktiv edhe një biznes me këmbimin valutor “Mati Union”.
Ndërsa kazinotë dhe kompania e basteve u mbyllën pas nisjes së operacionit të policisë “Fundi i Marrëzisë”.
Në kulmin e këtij aksioni, në tetor 2013, Martinaj u denoncua se kishte kërcënuar shefin e repartit “Shqiponja” në Tiranë, pas bllokimit të rreth 400 makinetave të lojërave të fatit në një magazinë që zotërohej prej tij.
Në mars 2017, dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja deklaroi para Gjykatës së Krimeve të Rënda në atë kohë se Ervis Martinaj i kishte ofruar 7 milionë euro për t’u tërhequr nga dëshmia kundër Emiljano Shullazit. Pas refuzimit të tij, Beqja deklaroi se Martinaj e kishte kërcënuar. Prokuroria deklaroi se kishte nisur hetime për të dyja rastet, por Martinaj nuk u penalizua për asnjërën.
Ervis Martinaj themeloi tre kompani të lojërave të fatit mes viteve 2011-2013, ndërkohë që u procedua në disa raste për organizim të lotarive të palejuara, në tetor 2013 dhe tetor 2014.