Gjykata vendos konfiskimin, televizioni “OraNews” kalon në pronësi të shtetit

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftoi të enjten më 3 nëntor  vendimin për konfiskimin e pjesës më të madhe të pasurive të zotëruara nga Ylli Ndroqi, të sekuestrua në vitet 2020 dhe 2021 si të dyshuara se janë produkt i veprimtarisë kriminale.

Mes pasurive të konfiskuara që do t’i kalojnë shtetit janë edhe shoqëria “Ora”, që përfaqëson televizionin “Ora Neës” dhe 30% e kuotave të shoqërisë “Channel One”.

Në listën e gjatë të pasurive të konfiskuara janë pjesët takuese të Ylli Ndroqit në 11 shoqëri tregtare; katër troje, katër njësi shërbimi; katër automjete luksoze; një garazh, një sipërfaqe tokë arë dhe një sipërfaqe pyll. Sipas vendimarrjes së gjyqtares Etleva Deda, të gjitha këto pasuri do t’i kalojnë në pronësi shtetit. Ndërkohë, gjykata ka vendosur të revokojë masën e sekuestrove të vendosura me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK në vitet 2020 dhe 2021 për dy apartamente; dy troje dhe një njësi tregtare.

Në vendimin e shkurtuar të gjykatës thuhet se konfiskimi është kryer bazuar në ligjin e vitit 2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i njohur ndryshe si ligji “Antimafia”.

Një prej përfaqësuesve ligjorë të Ndroqit, avokati Jordan Daci u shpreh pas vendimit se nuk dinte ku i kishte gjetur përqindjet dhe numrat gjykata, me pretendimin se aktet e ekspertimit që kishte urdhëruar vetë kjo gjykatë thonë krejt të kundërtën dhe se nuk kishte shpërpjestim të ardhurash.

Daci e cilësoi vendimarrjen si një goditje për median, duke vërejtur se kishte pasur kujdesje nga gjykata që të konfiskohej pjesa më e madhe e kuotave të “Ora News”, duke sjellë humbjen e kontrollit mbi këtë shoqëri. “Këto pasuri janë marrë sepse i ka kërkuar prokuroria dhe jo se provat dhe ligji parashikojnë një gjë të tillë,” pohoi Daci.

“Gjykata vetë shkelmoi në mënyrë të plotë nga pikëpamja teknike, provat që ajo vetë mori gjatë shqyrtimit gjyqësor. …Dhe ky për mua është akt shumë i rëndë nga pikëpamja e sjelljes së gjykatës,” deklaroi përfaqësuesi tjetër i Ylli Ndroqit, avokati Besnik Muçi.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, midis të ardhurave të shtetasit Ylli Ndroqi dhe familjarëve të tij dhe pasurive që ata kanë krijuar nga viti 1998 deri në vitin 2020, ka një diferencë prej 3 milionë euro.

SPAK ka njoftuar më parë se Ylli Ndroqi, i njohur gjithashtu si Xhemal Pasmaçiu, është arrestuar në shtator 1998 në Turqi në kuadër të operacionit “ESAS” për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 30.5 kg heroinë si dhe janë arrestuar përveç tij edhe Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar dhe Abdulselam Yunus.

Ndërsa në vitin 2004, autoritetet italiane e kanë referuar Ndroqin tek autoritetet gjyqësore si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë./Reporter.al

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej