Hashim Thaçi ka lënë burgun e Hagës dhe ka ardhur në Kosovë, për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të tij.
Ish-presidenti Hashim Thaçi ka arritur në vendlindjen e tij në Burojë për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të tij.
Sipas mediave të Kosovës, Thaçit i është aprovuar kërkesa për vizitë nga Gjykata Speciale.
Kjo është hera e dytë që Thaçi vjen te familja e tij për shkak të gjendjes shëndetësore të prindërve të tij.
Siç ka konfirmuar edhe Gjykata në Hagë, vendimi është marrë për “arsye humanitare”.
“Trupi Gjykues për arsye humanitare ka udhëzuar Sekretarinë që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë, për takimin e Hashim Thaçit me familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe nën përcjelljen e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjykatës i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi për gazetarët gjatë një konference për media të mbajtur në oborrin e Presidencës së Kosovës.
Po atë ditë, ai u nis drejt Hagës, ku po qëndron në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Më 9 nëntor, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Thaçi u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.
“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, tha Thaçi, duke e cilësuar aktakuzën ndaj tij si “të paqëndrueshme”.
Në kohën kur Kuvendi i Kosovës votoi për themelimin e Gjykatës Speciale, Thaçi kishte deklaruar se pavarësisht e konsideronte padrejtësi, shteti duhej ta themelonte këtë institucion, që vepron sipas ligjeve të Kosovës.
“Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale, që do të trajtojë ndonjë akuzë të mundshme, e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martyt, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare”, kishte deklaruar Thaçi në Kuvendin e Kosovës.
Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, thuhet se në kohën e luftës ka qenë shef i drejtorive politike dhe informimit të UÇK-së, kryekomandant i UÇK-së dhe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.