“Hetimet për inceneratorët vijojnë”, Arben Kraja paralajmëron të tjera arrestime: Kemi disa dosje në duar, zyrtarët e lartë mbeten prioritet

Prioriteti ynë është krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta, apo shkeljet e administratës publike me prokurimet publike

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja ka paralajmëruar se pas hekurave mund të kemi zyrtarë të tjerë. Alqi Bllako dhe Lefter Koka janë momentalisht të arrestuar, por sinjalet janë se atyre do ju bashkohen dhe shumë kolegë të tjerë.

Kraja ka dhënë një intervistë televizive sot, ku foli mbi zhvillimet e ditëve të fundit në SPAK, pasi janë marrë në pyetje një sërë zyrtarësh. Ilir Beqja ka qenë në SPAK, po ashtu dhe Dritan Leli apo Blendi Gonxhja. Kraja tha se nuk do ketë asnjë tolerim dhe kush ka shkelur ligjin do shkojë në gjykatë.

Unë e thashë që zyrtarët e lartë i kemi prioritet dhe padyshim që ata do thirren. Për të gjitha rastet në hetim po punohet me intensitet. Po shihet çfarë ka ndodhur, çfarë ligji është shkelur dhe kush ka përgjegjësi. Kush ka përgjegjësi padyshim do dërgohet drejt gjykatës”, tha Kraja.

Ai deklaroi se krimi i organizuar dhe zyrtarët e niveleve të larta janë në fokusin kryesor të institucionit që ai drejton.

Prioriteti ynë është krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta, apo shkeljet e administratës publike në nivelet e larta me prokurimet publike. Janë pjesë kryesore e punës sonë”, tha ai.

Arben Kraja u ndal dhe te inceneratorët. Ai deklaroi se bëhet fjalë për një dosje shumë komplekse. Megjithatë hetimet janë duke vijuar me intensitet shumë të fortë.

Është një dosje shumë komplekse, qoftë nga problematika që trajtohet, personazhet që janë përfshirë dhe kërkon kohën e vet. Sepse bëhet fjalë për një aktivitet që ka zgjatur për 3-4 vite në lidhjen kontratës. Janë shumë institucione të përfshira. Po shohim nëse është realizuar në përputhje apo jo me ligjin. Deri tani kemi bërë publike disa njoftime lidhur me rezultat e hetimit, por hetimet po vijojnë me intensitet për ti dhënë zgjidhje përfundimtare”, shtoi ai.

Kreu i SPAK, ju është përgjigjur të gjithë zërave kritikë që ‘ngrenë gishtin’ ndaj institucionit pse nuk hetohen emra të caktuar të politikës. Kraja sqaroi se SPAK nuk vepron me një listë emrash që të përcaktojë radhën e hetimeve, por në bazë të provave që mblidhen si nga burme të hapura që janë mediat ashtu edhe nga institucionet si BKH dhe prokuroritë që sjellin informacion.

Nuk dua të përfshihem në një debat pse nuk hetojmë emra të caktuar, pasi SPAK nuk ka një listë apo radhë emrash se si do të hetohet, por çdo prokuror ka provat dhe dosjen e tij përpara. Padiskutim do ketë opinione të tilla, por ne fokusohemi të japim informacione përfundimtare dhe jo të nxjerrim të dhëna nga hetimet që nisim. Mundohemi të jemi korrekt me provat dhe ligjit dhe sa më larg komenteve që bën politika, dhe publiku. SPAK vlerëson vetëm provat dhe të sqarojmë rrethanat pa u ndikuar nga ajo se çfarë thonë jashtë institucionit. Ne shfrytëzojmë burimet e hapura që janë mediat por edhe institucionet si BKH dhe prokuroritë”, tha Kraja.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej