Igli Cara shpall kandidaturën për kryetar të PD Durrës dhe bën thirrje për bashkim

Ish-deputeti i PD, Igli Cara, përmes një statusi në rrjete sociale thotë se mundësia për të sjellë ndryshimin në vend është bashkimi dhe rikthimi i Partisë Demokratike në alternativë qeverisëse.

Teksa tregon se ka shpallur kandidaturën për kryetar të PD në DurrësCara shkruan se kemi nevojë të shohim njëri-tjetrin në sy e mbi të gjitha të kontribuojmë për ndërtimin e besimit dhe ringritjes së Partisë Demokratike.

Ish-deputeti i PD thekson se opozita prej 9 vitesh e ka humbur shijen e fitores prej Lulzim Bashës ndërsa shton se Partia Demokratike duhet të jetë e të gjithëve.

Statusi i plotë i Igli Carës
Të dashur miq! Këto kohë të vështira, që po kalojmë janë shndërruar në një sfidë për secilin prej nesh. Kryefjala e 9 viteve është keq qeverisja e Ramës, që u përkeqësua nga dëmet e tërmetit, që u pasuan nga situata e krijuar nga koronavirusi dhe së fundmi me luftën që ka nisur në Ukrainë.

Korrupsioni, që ka kapur çdo nivel, duke nisur nga më i larti, dhe arroganca e një shpure qeverisëse, që nuk njeh kufij në të keqen që prodhon, kanë venitur besimin dhe shpresën.

Nga ana tjetër, ne, si opozitë kemi 9 vite, që kemi humbur shijen e fitores dhe nuk mundëm të ndërtonim mekanizmat e analizës, të marrjes së përgjegjësisë dhe të hapjes së një debati brenda nesh.

Pasojat dihen, por nuk përfunduan me kaq. Pas 9 shtatorit, një seri ngjarjesh e rënduan edhe më shumë situatën, e cila vijon të jetë delikate, duke gjeneruar edhe kontradikta e konflikte.

Duke parë përtej kësaj krize, vlerësoj dhe besoj se e vetmja mundësi për të sjellë ndryshimin në vend është bashkimi dhe kthimi i PD në alternativë qeverisëse.

Kemi nevojë ta shohim njëri-tjetrin në sy, por mbi të gjitha është domosdoshmëri të kontribuojmë për ndërtimin e besimit dhe ringritjes së Partisë Demokratike!

Në këto kushte, kam vendosur të kandidoj për Kryetar të PD Durrës. Një vendim bazuar te reflektimi i thellë, diskutimet midis miqsh dhe bashkëpunëtorësh të shumtë në radhët e PD dhe më gjerë, bashkë me dëshirën dhe synimin për të rikthyer shpresën.

Dhe, kjo mund të arrihet vetëm përmes përfshirjes dhe bashkimit me njerëzit për qëllimin e përbashkët.

Kam qenë me PD që në hapat e  parë të saj në Qytetin Studenti. Kam dhënë, por dhe kam marrë besim e vlerësim gjithmonë nga demokratët e bashkëqytetarët e mi, të cilët më kanë votuar e mbështetur në dy legjislatura e i jam mirënjohës  pa fund.

Ndiej që sot është dita për të vënë në shërbim të këtij qëllimi, investimin tim politik dhe përvojën personale. Me shpresën te Zoti, shqiptarët dhe demokratët, ju ftoj të gjithëve  të bëhemi bashkë, në emër të së ardhmes!

Shtëpia jonë, Partia Demokratike ka vend për të gjithë! Miqësisht dhe me mirënjohje!

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej