Një 42 vjeçar është arrestuar në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Komisariatit nr.6 në Tiranë, në bashkëpunim me Shqiponjat, pasi lëvizte i armatosur. Shtetasi me inicialet D.F ishte konfliktuar me disa shtetas të tjerë në fshatin Prush dhe ishte larguar me mjetin e tij.
Në Rrugën e Kavajës, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit me drejtues shtetasin D. F. dhe pasagjer shtetasin M. Sh. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. F., 42 vjeç, banues në Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.