Në sfidën e djeshme përballë Polonisë, Shqipëria bindi edhe më skeptikët, teksa ia doli të triumfojë ndaj një rivali mjaft të vështirë. Një sukses 2-0 me meritë dhe tashmë kualifikimi në Europian është mëse i mundur.
Nëse kuqezinjtë po bëjnë paraqitje të mira, padyshim se një meritë e ka edhe trajneri Sylvinho. Tekniku brazilian ka bërë një postim në rrjetet sociale, një ditë pas sfidës në “Air Albania”.
Ai shkruan se është shumë i lumtur me rezultatet dhe se 3 ndeshjet e mbetura në grupe do të trajtohen si finale.
“Një javë me një punë fantastike dhe rezultate të rëndësishme. Jam shumë i lumtur që këto rezultate i kanë sjellë shumë lumturi të gjithë shqiptarëve. Kemi përpara tre finale dhe do të vazhdojmë të punojmë me seriozitet maksimal, zemër e shpirt për të arritur objektivin tonë final, Forca Shqipëri”, shkruan ai. Ekipi kuqezi mbyll kështu ndeshjet e muajit shtator me 4 pikë, pasi përveç fitores me polakët, përfaqësuesja jonë barazoi para pak ditësh 1-1 me Çekinë.