Jep dorëheqjen kryeministri italian Mario Draghi

Kryeministri italian Mario Draghi ka dhënë dorëheqjen, duke i dhënë fund një qeverie të unitetit kombëtar që u gjykua se kishte një mundësi të rrallë për të sjellë stabilitet dhe për të zhbllokuar potencialin ekonomik të vendit, njofton Financial Times.

Në një deklaratë, zyra e presidentit Sergio Mattarella tha të enjten se Draghi do të mbetet në krye të detyrave aktuale. Mattarella tani pritet të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Koalicioni i unitetit kombëtar i Draghit, i krijuar në fillim të vitit të kaluar në kulmin e krizës së Covid-19, u shpërbë të mërkurën pas një debati të ashpër parlamentar. Ikja e tij vjen pasi ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës përballet me sfida në rritje,  përfshirë ngadalësimin e rritjes, inflacionin dhe kostot më të larta të huamarrjes.

“Pas debatit të djeshëm kam nxjerrë përfundimet e mia”, tha Draghi gjatë një paraqitje të shkurtër në Dhomën e Ulët të parlamentit përpara takimit të tij me presidentin.

Yield-i i obligacioneve qeveritare 10-vjeçare të Italisë u rrit me 0.14 pikë përqindjeje në 3.52 për qind, pasi çmimi  ra ndjeshëm të enjten. Kjo lëvizje e çoi hendekun midis yield-eve 10-vjeçare standarde italiane dhe gjermane – një matës i vëzhguar nga afër i stresit në treg – në 2.26 pikë përqindjeje, duke reflektuar një zgjerim prej 0.22 pikë përqindjeje në vetëm dy ditë.

Në debatin parlamentar të mërkurën, Draghi akuzoi disa anëtarë të koalicionit të tij ndërpartiak se po përpiqeshin të përmbysnin axhendën e tij të reformës dhe kërkoi që ata të riangazhoheshin për të.

Por dy parti të qendrës së djathtë – Liga e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit – së bashku me Lëvizjen populiste Pesë Yjet e udhëhequr nga Giuseppe Conte e bojkotuan votimin e besimit në udhëheqjen e tij.

Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio, i cili udhëhoqi një largim nga lëvizja Pesë Yjet muajin e kaluar në shenjë proteste ndaj vënies në shënjestër nga Conte të politikave të Draghit, e quajti kolapsin e qeverisë “një faqe të zezë për Italinë”.

“Ne luajtëm me të ardhmen e italianëve”, tha Di Maio në një postim në Tëitter pas zhvillimeve të së mërkurës. “Efektet e këtij vendimi tragjik do të mbeten në histori.”

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej