Ju zëntë haka e shqiptarëve! Amen!

Puthja duart Luiza Gegës, o Edi Rama. Puthja dhe bjeri në gjunjë po deshe. Bëj ceremoni e porosit fjalime sa të duash. Nxirri djajtë e tu, një nga një që të recitojnë fjalime që të ngjethin mishin për Shqipërinë e begatë, për Shqipërinë e zhvilluar që i do e i përkrah artistët. Propaganda jote, që sot arriti kulmin, nuk e mbulon dot të vërtetën. Do të vijë një ditë dhe ajo do të të vrasë. Ty edhe djajtë e tu. Haku i shqiptarëve do të të kthehet një ditë dhe ti do të paguash për të…

Sot nën diellin e nxehtë të Gushtit dhe me lajmin e shpalljes së Luiza Gegës kampione e Evropës në vrapim 3000 m me pengesa, propaganda e pjellës së Enver Hoxhës arriti kulmin. Po të ishte gjallë babai i tyre shpirtëror do të ishte krenar për ta. Paradat e Majit duken të vobekta përpara asaj që Edi Rama dhe qeveria e tij do t’u shesë shqiptarëve. Duke përfituar nga ekzaltimi – me të drejtë – publik i momentit për një kampione kuq-e-zi, në një kohë kur rrugët janë gjakosur nga bandat kriminale dhe gjendja ekonomike e shqiptarëve ka zbritur nën zero, Edi Rama dhe të tijtë dhanë spektaklin e radhës, më të shëmtuar të mundshëm.

Ata përfituan nga dobësia e një sportiste që i ka arritur sukseset e saj me gjak, me sakrificë, me përuljen e një njeriu patriot, por që nuk ankohet, më vullnetin e hekurt të një vajze që, sado që kërkesave për ndihmë ndër vite drejtuar shtetit të saj ranë në vend të shurdhër, nuk e braktisi Shqipërinë…

Edi Rama dhe të tijtë sot përfituan në mënyrë kriminale nga një sportiste kampione, por e brishtë dhe që ka një pikë të dobët: atdheun e saj.

Edi Rama sot ka bërë krimin e radhës dhe një ditë do të paguajë për këtë.

Ai dhe qeveria e tij, e njëjta qeveri që ka shkatërruar çdo lulishte, çdo park dhe hapësirë të gjelbër për ta mbushur me beton, të njëjtët njerëz që të vetmen mushkëri të Tiranës po e vjedhin çdo ditë nga pak, natën dhe nën emra studiosh arkitekturore me famë, pritën Luiza Gegën me përulje, lule dhe ceremoni qeveritare.

Çfarë hipokrizie! Edi Rama dhe qeveria e tij nuk ka të drejtë t’i afrohet Luiza Gegës. Nuk duhet t’i afrohen. Sepse kur Luiza Gega kërkonte një pistë vrapimi për tu stërvitur, ata e shembën edhe atë që ishte, në të vetmin stadium kombëtar dhe tek i riu nuk gjetën hapësirë për të ndërtuar një pistë të re. As nuk e gjetën e as nuk u munduan ta gjenin. Iu duhej një kullë e lartë dhe një stadium për të mbuluar aferën kriminale të radhës. Ofshamën dëshpëruese të Luizës, ata nuk e dëgjuan dot, sepse krimi shqiptar fle në katet e larta të gradaçelave që ndërton vetë.

Kur Luiza Gega demaskonte publikisht institucionet shqiptare sepse i kishin kërkuar para që të përdorte pistën e Elbasanit, Edi Rama dhe djajtë e vet financonin bandat e qytetit për të rritur sipërfaqet e mbjella me drogë.

Kur Luiza Gega deklaronte në televizionet kombëtare se shteti e kish harruar dhe se i ishte dashur të blinte vetë edhe uniformën më të cilën përfaqësonte Shqipërinë, Edi Rama dhe djajtë e vet ishte i zënë me kontratat e koncesioneve e nuk kishte nge të financonte një sportiste.

Kur Luiza Gega deklaronte në emisionet soft të televizioneve të financuara nga paratë e pista të krimit, se e merrte bukën me vete e shpesh i duhej ta hante edhe thatë se djathi kushtonte, Edi Rama dhe djajtë e vet shtrohej në gostitë e Nusretit e mbyllte marrëveshje kriminale.

Kur Luiza Gega gjente cepa e rrugë fshati për tu stërvitur, e përkrahur besnikërisht vetëm nga trajneri i vet, si i vetmi njeri që luftoi për të, Edi Rama dhe djajtë e tij diskutonin se çfarë hapësirash të tjera mund të vidhnin.

Kur Luiza Gega ankohej se nuk kishte as pune e se kur të varte këpucët në gozhdë nuk dihej me çfarë do të ushqehej për mungesë pensioni, Edi Rama dhe djajtë e vet zbatonin skema mashtrimi alla inceneratorësh për të vjedhur edhe qindarkën e fundit nga arka e shtetit.

Kur Luiza Gega tallej nga portalet qeveritare si Luiza në Botën e Çudirave se shteti nuk i paguante as analizat, shëndetësia shqiptare i shitej privatit dhe shqiptarët vdisnin rrugëve.

Kjo është qeveria që sot priti me temena Luiza Gegën. Për të gjitha këto Luiza Gega duhet ta refuzonte të ishte pjesë e një spektakli të tillë, por ajo nuk mundi. Lotët e saj të mallëngjimit flisnin më shumë se asgjë tjetër. Me siguri, Luiza Gega sot ka besuar se më në fund sporti ka fituar.

Por jo! Kjo nuk është asgjë më shumë se propaganda e radhës dhe të gjithë ata që mbajtën nga një fjalim aty, janë djajtë e vegjël që ushqejnë më mish e gjak njeriu të madhin. Atë që i varej koka përgjumësh ndërsa dëgjonte fjalimin, trazues për stomakun, të djalit shpirtëror që aty e quajti “mentorin e tij” dhe që është betonuar në pushtet njësoj si kullat e tij: Edi Rama. I njëjti njeri që po shkatërron çdo brez që ende po rritet këtu nën frymëmarrjen e betonit dhe mungesës, qoftë edhe të një centimetri bar.

Edi Rama dhe djajtë e tij sot bënë atë që dinë të bëjnë më mirë. Organizuan një spektakël dhe i morën mendjen një vajze të pafajshme, të talentuar e më vullnet që e do fort atdheun e vet, familjes së saj, që ia kishin rreshtuar në krah të të madhit, trajnerit, e të afërmve të saj të dashur. Propaganda fitoi edhe kësaj here, por zor të zgjasë dhe shumë. Sepse do të vijë një ditë – dhe ky është ligj i Zotit dhe i natyrës – që haka kthehet tek i zoti. Haka e shqiptarëve do ta vrasë këtë kastë kriminale që po iu pi gjakun. Do të vijë patjetër ajo ditë…/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej