Kartat e “panjohura” që tmerruan Ilir Metën në SPAK

Një burim i rëndësishëm diplomatik bëri të ditur se në këtë dosje ka një bashkëpunim të rëndësishëm të drejtësisë europiane, ku mësohet se një dorë të madhe ka dhënë dhe Superprokuroria e BE-së kundër korrupsionit…

Thirrja e Ilir Metës në SPAK për herë të parë që kur është krijuar ky institucion, ka qenë shumë traumatike për një nga njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri.

Kjo, pasi ai nuk është pyetur për asnjë nga pesë dosjet që njerëz dhe ente të ndryshme kanë dërguar si denoncime në Prokurorinë Speciale, por për një dosje për të cilën hetimi ka nisur me kryenisje nga Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Bëhet fjalë për çështjen CEZ-DIA, e cila në dy komponentë të saj, është mbyllur si dosje: Si denoncimi i Romeo Karajt, ashtu edhe ai i Komisionit të Posaçëm Parlamentar Hetimor; ku njëri nga të cilët ndodhet ende në Gjykatën e Lartë.

Nisur nga ky fakt, Ilir Meta nuk e priste që të thirrej në SPAK për këtë çështje. Por ai është thirrur, duket për një hetim të regjistruar zyrtarisht së fundmi para pak ditësh, i cili ka marrë shkas nga disa zhvillime krejt të reja në këtë lëmi. E këtu duket se ka një deklaratë të re, të regjisruar si dëshmi nga ana e Elvis Matës, njeriut që ka drejtuar kompaninë e Kastriot Ismailajt, në kohën kur ajo ishte autorizuar që të mblidhte borxhet që individë dhe subjekte private i kishin CEZ-it.

Elvis Mataj, ka bërë edhe në të shkuarën një deklaratë, e cila ka shërbyer për të dënuar Kastriot Ismailajn për mashtrim dhe pastrim parash.

Por këtë radhë, Mataj, vjen si një person që nuk jeton në Shqipëri, por që i mbrojtur nga drejtësia e një vendi europian, jo vetëm ka folur, por ka dhënë dhe dokumente, të cilat dikur nuk i kishte ofruar. Gjithashtu bëhet fjalë edhe për Vojsava Ismailajn, e cila njëkohsisht si Mataj, ka marrë strehim politik në të njëjtin vend. E është pikërisht vendi ku CEZ ka atdheun e vet. Me pak fjalë Çekia. E pikërisht nga drejtësia çeke ka ardhur materiali që i ka dhënë SPAK-ut ‘bukën’ për hetimin e ri, i cili është gatuar pa bujë, por që shkaktoi menjëherë sensacion që në seancën e parë.

Ilir Meta dje ka qëndruar tre orë në Prokurorinë e Posaçme, ku siç mësohet është pyetur për vijat e trasha të çështjes dhe të lidhjes së tij me Elvis Matajn.

Hetimi për CEZ-DIA-n në Shqipëri ka nisur shumë herët që me arrestimin e Kastriot Ismailajt, ku ka pasur deponimin e tij, padinë e nisur nga Romeo Kara, deklaratën e Vojsava Ismailajt si dhe vendimin e Komisionit Parlamentar Hetimor të vitit 2017 të drejtuar nga Taulant Balla.

Të gjitha këto indicie realisht nuk e rëndojnë Ilir Metën, madje ata më shumë akuzojnë Sali Berishën dhe të birin Shkëlzen, si dhe personin kyç që CEZ ka përdorur si ndërmjetës, shqiptarin nga Kosova Nuel Kalajn, i cili ka edhe shtetësi shqiptare.

Por duket se segmenti që ka tronditur Ilir Metën, ka qenë pikërisht ‘karta’ që ai nuk e ka menduar se është regjistruar, e që bën fjalë për veprimtarinë e tij në Çeki kur ka qenë ministër i Jashtëm.

I irrituar, pasi doli nga SPAK, Meta tha se në Çeki ka zhvilluar një vizitë pune, që tregon se objekt i pyetjeve të para ka qenë pikërisht ajo vizitë që tregon kontaktet e para të Ilir Metës, për të siguruar pjesë të pazarit të paradhënies multimilionere të CEZ dhe derivateve të saj. Ilir Meta nuk është pyetur për privatizimin e CEZ apo marrëdhëniet e kompanisë me autoriteteve të larta për të siguruar marrjen e kontrollit të OSHE-së. Bëhet fjalë vetëm për segmentin e mbledhjes së borxheve, si dhe kontratat e qirave që CEZ ka pasur me aktorë të tretë. Për të cilat dyshohet se Meta ka lobuar në vizitën e tij të famshme në Pragë. Ku ambasadori i ndjerë i Shqipërisë në Çeki, Qazim Tepshi e prezantoi Kastriot Ismailajn si aleat të Ilir Metës.

Një burim i rëndësishëm diplomatik bëri të ditur se në këtë dosje ka një bashkëpunim të rëndësishëm të drejtësisë europiane, ku mësohet se një dorë të madhe ka dhënë dhe Superprokuroria e BE-së kundër korrupsionit. E cila ka koordinuar çështjen dhe e ka sjellë në paketë.

Si rezultat kemi të bëjmë me deponime të rënda të drejtuesve të CEZ të kohës në Pragë, por edhe dy të të penduarve, që kanë folur nën betim, pra përpara një prokurori, e kanë ardhur në SPAK si letërporosi. Pikërisht kjo i është bërë e ditur dje Ilir Metës, i cili nuk kishte marrë avokat, pikërisht për të mos dalë sikur shkon si njeri nën hetim, por si denoncues apo dëshmitar.

Në fakt u kap gafil, dhe ky është zhvillimi më i bujshëm, për të cilin duhet thënë deri më sot nuk ka dalë asnjë milimetër me media, e nuk ja ka qëlluar asnjë “gazetar investigativ.”/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej