Ambasada Amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë, e ka quajtur antikushtetues dhe sulm të qëllimshëm ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, kërcënimin e Presidentit të Republikës Srpska Milorad Dodik, ndaj përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt.
Me anë të një reagimi në platformën “X”, ambasada shtoi se kërcënimet e pamatura dhe pretendimet qesharake të Dodik për statusin dhe autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë janë të papranueshme dhe përfaqësojnë një hap tjetër në rrugën e rrezikshme që ai ka zgjedhur.
Më tej në reagim thuhej se do të merren hapa të tjera në rrugën e izolimit të kreut të Republikës Srpska i cili është i shpallur non-grata nga Amerika.
“Kërcënimi i Milorad Dodik për të parandaluar hyrjen e Përfaqësuesit të Lartë në entitetin e Republikës Srpska të Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) dhe për të kufizuar lirinë e tij të lëvizjes është jokushtetues. Ky përfaqëson një sulm tjetër të qëllimshëm nga z. Dodik mbi Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, rendin kushtetues të BiH dhe shtetin e BiH.
Përfaqësuesi i Lartë është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila i detyron zyrtarët të bashkëpunojnë me të dhe ai gëzon status diplomatik në të gjithë BiH sipas Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike. Kërcënimet e pamatura dhe pretendimet qesharake të zotit Dodik për statusin dhe autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë janë të papranueshme dhe përfaqësojnë një hap tjetër në rrugën e rrezikshme që ai ka zgjedhur – rrugën e izolimit”, shkruan ambasada e SHBA-së.
Kujtojmë se ditën e djeshme Dodik tha se do t’i ndalonte hyrjen në Republikën Srpska, Christian Schmidt, teksa shtoi se po përgatit një dekret për arrestimin dhe dëbimin e tij.