Këshilli i Mandateve merr 2 javë kohë për mandatin e Xhaçkës

Në një mbledhje që nuk zgjati më shumë se 5 minuta, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla propozoi që mazhoranca dhe opozita të merrnin kohë për të shqyrtuar dy mocionet e ardhura nga opozita për pavlefshmërinë e mandatit të Xhaçkës

Opozita pretendon se Xhaçka ka shkelur Kushtetutën duke përfituar nga pasuritë publike, pasi bashkëshorti i saj, ish deputeti Artan Gaçi, fitoi statusin “investitor strategjik” dhe të drejtën për përdorimin e bregdetit para hotelit që do të ndërtojë në jug të vendit.

Relatorja e mazhorancës Klotilda Bushka kërkoi që afati kohor për të përgatitur raportin të ishte 2 javë “ Janë dy kërkesa, dhe le të jetë një afat dy javor si afat maksimal, nëse e kemi gati më herët ju njoftojmë”, – tha Bushka.

Nga ana e opozitës Enkelejd Alibeaj pranoi kërkesën e PS, por kërkoi që afati i ri të mos përdorej si pretekst për të zvarritur akoma më shumë procesin.

“Qe e keni shtyrë këtë mbledhjen e Këshillit me sebepe të paqena, kjo është e dukshme”- tha ai duke shtuar se nuk ka kompleksitet çështja pasi dy kërkesat janë të ngjashme.

“Për ne është me rëndësi që kjo procedurë të shkojë deri në fund”- apeloi Alibeaj, duke kërkuar nga kolegët e mazhorancës që të mos vijnë pas dy javësh e të kërkojnë përsëri kohë për t’u njohur me materialet, siç kanë bërë më herët.

Në mbledhjen e së premtes pritej që të sillte argumentet mbrojtëse avokati i ministres Xhaçka, të cilit këshilli i dha kohë në mbledhjen e fundit të 15 korrikut që të përgatiste përgjigjet ndaj mocionit të dytë që iu parashtrua këshillit nga deputeti Agron Shehaj.

Por drejtuesja e mbledhjes nuk e futi në rend dite këtë çështje dhe i tha BIRN-it se nuk ka as përgjigje me shkrim nga avokati.

Avokati Genci Çifligu pati mundësinë të bënte mbrojtjen për mocionin e parë më 7 korrik, ku në një raport të gjatë pretendoi se deputetja nuk e kishte shkelur Kushtetutën dhe se nuk ishte përfituese e pasurisë publike dhe se ajo vetë nuk kishte përfituar nominalisht nga vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike.

Sipas Çifligut, statusi “investitor strategjik” nuk përbënte përfitim të pasurive publike, ndërsa marrjen në shfrytëzim të bregdetit e justifikoi me faktin se është një kompani tjetër përfituese.

Por kompania tjetër rezulton të jetë në pronësi të partneres amerikane të vëllait të Xhaçkës, me të cilën Gaçi firmosi një marrëveshje për menaxhimin e investimit strategjik. Në mars, Gaçi i tha BIRN se kishte lidhur kontratë me kompaninë tjetër për të shmangur konfliktin e interesit.

Duke iu referuar marrëveshjes mes familjarëve të Xhaçkës, opozita argumenton se ministrja me qëllim kishte krijuar një skemë fiktive me familjarët e saj për të përfituar nga pasuria publike.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej