Përfshirja e kryeministrit në skandalin “McGonigal”, ka ngjallur shpresë te Sali Berisha e Ilir Metaj, se do t’i mbushin mendjen ndërkombëtarëve, se “djalli” është Edi Rama, ndërsa ata janë “ëngjëjt” e politikës dhe alternativë e re qeverisëse.
Përpara se të arrijnë të bindin ndërkombëtarët, Saliu e Iliri duhet të bindin shqiptarët, me prova se nuk janë siç kanë qenë e janë realisht, të zhytur në zullume të rënda si hajdutë, kriminelë e shkatërrues të vendit: njeri “non grata” e tjetri gati për t’u shpallur.
Por edhe në skandalin “McGonigal”, Sali Berisha ka të përfshirë mikun familjar, ish-shefin e sigurimit të diktaturës, Agron Nezaj; ndërsa Ilir Metaj ka djalin e hallës, Dorjan Duçka, të dy të përdorur nga Edi Rama si sekserë te oligarkët dhe trafikantët rus, serbë, arabë, turq e meksikanë.
Duke e konsideruar këtë rast, si “shans të artë”, ata po kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe të qeverisë, në të kundërt sipas tyre, populli në udhëheqjen e Foltores dhe Partisë së Lirisë, do ngrihet ta rrëzojë me revolucion.
Shqiptarët e kanë dënuar përfshirjen e kryeministrit Edi Rama, në këtë skandal të turpshëm e të rëndë që ka përdhosur shtetin, por nuk janë naivë të bien për herë të tretë, në kthetrat e Sali Berishës e Ilir Metës.
Edhe para rastit “McGonigal”, Edi Rama personalisht, gruaja Linda, i vëllai Olsi, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtorët e tij, janë përfshirë në një seri aferash të mëdha financiare, parlamentare, diplomatike, “Call Center”, SHISH, polici, trafiqe e grabitje të pasurive me resorte si i Damian Gjiknurit në Butrint e Olta Xhaçkës në Dhërmi.
Nëse populli do vendosë, bandën e Edi Ramës e rrëzon brenda ditës, jo me revolucion e rrëmbim armësh siç bëjnë thirrje kryebanditët Berisha- Metaj, por paqësisht, duke bojkotuar pagimin e taksave, ujit, energjisë dhe bllokimin e tregjeve, transportit, arsimit e shëndetësisë.
Por shqiptarët kanë zgjedhur të reagojnë duke u larguar nga Shqipëria, qysh pas mandatit të parë të Edi Ramës, kur bëri afera korrupsioni, krijim bande oligarkësh, mbushje të pushtetit me hajdutë e trafikantë, madje e humbën e besimin, qysh kur krijoji qeveri me hajdutin Ilir Metaj.
Po ikin, ngaqë prej 30 vitesh, përveç Edi Ramës, Sali Berishës e Ilir Metës, nuk shohin alternativë të re e ndryshe, mbasi këto 3 “monstra”, kanë instaluar një sistem mafioz zgjedhor, që nuk lejon asnjë forcë të re, përveç sundimit të partive të tyre familjare e klanore.
Për të garantuar sundimin, këta kanë instaluar sistem politik, parlamentar, shtetëror e qeveritar tipik si monarki, ku “Mbreti” i radhës prej 10 vitesh është Edi Rama, ndërsa “princat e fronit” janë Sali Berisha e Ilir Metaj.
Revolucioni i Foltores e Partisë së Lirisë, do bëjë vetëm një gjë: do largojë nga pushteti Edi Ramën, Lindën e Olsin, dhe do sjellë në pushtet Saliun, Lirinë, Argitën, Shkëlzenin, Ilirin, Monikën e Drini Kryemadhin, ndërsa oligarkët e trafikantët do jenë të njëjtë./Pamfleti