Komisioni Europian paralajmëron Ramën: Amnistia fiskale nuk mund të miratohet pa marrë “OK” nga BE dhe Moneyval

Komisioni Europian ka paralajmëruar qeverinë shqiptare që të mos nxitohet me miratimin e amnistisë fiskale. Qeveria riktheu për konsultim ligjin dhe po tenton ta dërgojë në Parlament, por institucionet ndërkombëtare i kanë dal të gjitha kundër. Një ditë më parë ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar që i dha goditje qeverisë, por sot ka ardhur një “shuplakë” akoma dhe më e madhe.

Ndonëse po has në kundërshti, qeveria ka paralajmëruar se do ta miratojë ligjin. Por ka ardhur një paralajmërim nga Komisioni Europian. Nesër do të prezantohet progres-raporti për Shqipërinë dhe KE del kundër amnistisë. Në raport theksohet se qeveria nuk duhet të bëjë asnjë hap para pa marrë parasysh sugjerimet e BE dhe Moneyval. Sipas raportit, amnistia fiskale mund të nxisë pastrimin e parave.

Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm në konfiskimin e aseteve të ardhura nga krimi, por i duhet të bëjë hapa në rritjen e kapaciteteve për të adresuar krimet kibernetike. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval mund të rrezikojnë përparimin në këtë fushë”, theksohet në progres-raport.

Në korrik të këtij viti pati një reagim të ngjashëm nga Komisioni Europian. KE në atë kohë deklaroi se drafti dobëson kontrollin e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, çka shqetëson shtetet anëtare të Bashkimit Europian si dhe partnerët e tjerë.

Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”, shprehej KE.

Raporti pritet të publikohet nesër më i plotë dhe duket se kjo do të jetë një goditje e fortë për qeverinë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej