Konsumi i energjisë mbi 800 kwh, qeveria i fiksoi vetë çmimet pa pyetur ERE-n, mashtroi edhe me familjet që preken

Qeveria do të vendosë nga tetori faturimin e energjisë elektrike me dy fasha për konsumatorët familjarë. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, gjatë prezantimit të Paketës së Rezistencës Sociale, ku lajmëroi rritjen e çmimit të energjisë elektrike u shpreh se: “Mbi 96% e abonentëve familjarë konsumojnë nën 800 kilovatorë në muaj dhe në tabelën që mund të shfaqet ne kemi bërë edhe një pasqyrim sesi janë të shpërndarë përqindja e konsumit sipas kilovatorëve për familje. Në ndërkohë, kjo 4% e abonentëve familjarë përbën 19% të volumit të konsumit vendas. Pra, çdo kilovator mbi 800 kilovatorë, çmimi që do të aplikohet është 35 lekë për kilovatorë, plus 7 lekë tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes, një total prej 42 lekë”.

Me gjithë TVSH-në, çmimi i ri i një kilovati shkon në 50 lekë. Por nuk është ky problemi më i madh.

Të gjitha familjet që sot paguajnë mbi 9120 lekë energji elektrike në muaj, me gjithë TVSH-në, do të preken nga rritja e çmimit, i cili do të jetë shumë i madh në muajt kur familjet konsumojnë shumë energji, përkatësisht në muajt nëntor-mars dhe korrik-gusht.

Sipas Ministrisë së Energjisë rritja e çmimit prek 4% ose rreth 48 mijë familje, pasi 96% e abonentëve familjarë konsumojnë nën 800 kwh në muaj. Por, bazuar në të dhënat e konsumit në Entin Rregullator të Energjisë, gjatë muajve të ftohtë të dimrit dhe të nxehtë të verës, konsumi do të jetë shumë më i madh dhe fasha mbi 800 kilovatë do të prekë  rreth 18 % të 1.1 milionë abonentëve familjarë.

Ekspertët e ekonomisë e kanë cilësuar të ulët fashën e parë prej 800 kilovatësh duke kërkuar që të paktën ajo të ishte 900, ndërsa plani fillestar i Ministrisë së Energjitikës ishte për 700 kilovatë.

Por qeveria ka vendosur vetë, edhe pse në mënyrë të kundraligjshme, sepse çmimet nuk i cakton Ekzekutivi, por Enti Rregullator i Energjisë, sipas një procedure ku kompanitë publike duhet të aplikojnë tek ERE, ato bëhen publike, ndërsa Enti Rregullator shqyrton të gjitha kostot që kanë kompanitë, planet e tyre dhe miratohet një tarifë fikse nga ky ent i pavarur.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej