Kadastra Shqiptare njofton se është duke jetëzuar dy projekte të rëndësishme të cilat parashikojnë dixhitalizmin dhe skanimin e rreth 50 milionë dokumenteve dhe rreth 90.000 planshetave hartografike, që mbulojnë gjithë territorin e Republikës.
Përfaqësuesit e Delegacionit të BE në Tiranë, Hubert Perr, Drejtor i Bashkëpunimit dhe Peter Danis, Menaxher i Projektit BE për të Drejtat e Pronësisë, vizituan Qendrën e Kadastrës Dixhitale në ASHK, ku u mirëpritën nga Drejtori Artan Lame.
Përfaqësuesit e Delegacionit të BE u njohën nga afër me proceset e punës që realizohen në këtë Qendër, në mënyrë të veçantë me procesin e dixhitalizimit dhe skanimit të dokumentacionit dhe arkivit të pasurive të paluajtshme, proces i cili po zbatohet nga Kadastra Shqiptare me financim të Qeverisë Shqiptare.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian nëpërmjet Projektit “BE për te Drejtat e Pronësisë”, i financuar nga fondet IPA, është angazhuar për financimin e procesit të skanimit të hartave kadastrale të pasurive të paluajtshme.
Të dy këto procese komplementare do të realizojnë dixhitalizimin e plotë të të dhënave kadastrale mbi pasuritë e paluajtshme, duke i hapur rrugë përmirësimit sistematik dhe korrigjimit të gabimeve dhe mangësive mbi këto të dhëna të trashëguara ndër vite, që ndikojnë direkt si në cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve ashtu dhe në zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme.