Ligjërisht, Kryeministri ka të drejtë t’i propozojë Presidentit të Republikës, emrin e kandidatit për Drejtor të SHISH, ndërsa institucionalisht ka detyrim të konsultojë paraprakisht me institucionet e sigurisë kombëtare, emrin që ai mendon apo ia rekomandojnë kur e kërkon.
Duke njohur natyrën prej sulltani të Edi Ramës dhe referuar kushteve ligjore, për t’u bërë pjesë e SHISH, krijohet bindja se Edi Rama nuk ka pyetur askënd për kandidaturën e Vlora Hysenit si Drejtore e SHISH.
Madje, referuar fotografisë denigruese që publikoi zyra e kryeministrit nga takimi Rama- Begaj në Presidencë me Bajramin e përulur e jargavitur si “jeniçer”, nuk ka dyshim që as këtij nuk i ka kërkuar mendim, por i ka lënë mbi tavolinë propozimin për të dekretuar Vlora Hysenin, siç veproi me drejtuesin aktual të SHISH, Oljan Kanushin.
Në rastin konkret, presidenti ka pengesë ligjore, disa kritere që e ndalojnë ta dekretojë Vlora Hysenin, një ndër to Udhëzimi Nr. 26-66, datë 27.07.2021 për emërimet e çdo niveli në SHISH, ku përcaktohen 3 kritere bazë.
Konkretisht, kufizimi i shtetësisë vetëm shqiptare që nga lindja pa asnjë hapësirë për dyshtetësi, ndërsa kandidatja Vlora Hyseni ka vetëm 3 vite që ka marrë shtetësinë shqiptare.
Kandidati për drejtues e punonjës i SHISH, nuk duhet të jetë shkarkuar me çfarëdo mase ndëshkimore, nga funksione në shërbime sigurie dhe çfarëdo detyre në administratën civile.
Ndërsa kandidaten për Drejtore të SHISH në Shqipëri, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë shkarkuar, me masë “konfidenciale” nga posti Zv/drejtore e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.
Me kriter të Paketës nr. 62/2003 të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, drejtues e përgjegjës sektori në SHISH, nuk mund të emërohen personat që kanë punuar në shërbime inteligjente të shteteve të tjera, ndërsa kandidatja Vlora Hyseni ka qenë Zv/drejtore e Inteligjencës në Kosovë.
Madje Edi Rama, me kandidaturën e Vlora Hysenit për Drejtore të SHISH, bie ndesh edhe me raportin hetimor të PS për shkarkimin e Ilir Metës, ku një ndër shkeljet e Kushtetutës, ishte dhënia e 320 shtetësive shqiptare të paligjshme për të huajt, madje PS e ka kallëzuar në SPAK.
Sipas raportit hetimor parlamentar, emri i kandidates Vlora Ramush Hyseni është në listën e shtetasve të huaj, që Ilir Meta u ka dhënë shtetësi pa marrë miratimin e Ministrit të Brendshëm dhe pa verifikim profili nga SHISH, Policia, DSIK dhe partnerët e anti-terrorit në NATO.
Të shohim, nëse presidenti Bajram Begaj, do ta dekretojë apo jo, pas shëtitjes për “ajër të pastër”, që bëri te Parku i Liqenit me Ambasadoren Amerikane, Yuri Kim, një ditë pasi Edi Rama i çoi kandidaturën për Drejtore të SHISH?/Pamfleti