Kriza e çmimeve dhe qeveria që fshihet si struci

Nga Klodian Tomorri

Pas debatit në Parlament për krizën e çmimeve, kryeministri Edi Rama publikoi një grafik, ku tregohej se Shqipëria është vendi me rritjen më të ulët të çmimeve në rajon. Sipas grafikut, që më vonë u shpërnda nga e gjithë shpura qeveritare, në Shqipëri çmimet janë rritur 6.2 për qind në terma vjetorë, ndërsa në vendet e rajonit rritja është deri në 13 për qind. Burimi i të dhënave ishin institutet respektive të statistikave.

Si rregull të dhënat e prodhuara nga institucionet zyrtare të ngarkuara me ligj merren të mirëqëna dhe nuk mund të sfidohen pa prova të forta për manipulim. Por këtë herë, INSTAT po i nxjerr sytë vetes. Merrni vetëm një shembull; indeksin e kushtimit në ndërtim. Sipas INSTAT, çmimet e materialeve të ndërtimit në tremujorin e parë të vitit ishin vetëm 6 për qind më të larta se një vit më parë. Por çfarë ndodh në terren?

Çmimi i betonit, një nga zërat më të rëndësishëm tek materialet e ndërtimit është rritur me 30 për qind në terma vjetorë, nga 65-70 euro për metër kub që shitej vjet në 85-90 euro për metër kub tani. Çmimi i hekurit është rritur me më shumë se dy herë, nga 500 euro për ton një vit më parë në gati 1200 euro aktualisht. Çmimi i i tullave është trefishuar, nga 28 lekë për tullë një vit më parë në rreth 90 lekë për copë tulle aktualisht.

Të gjitha këto çmime janë lehtësisht të verifikueshme. Megjithatë INSTAT i ponderon dhe e nxjerr rritjen mesatare 6 për qind. Kjo është dhe historia e inflacionit që del dy herë më pak se vendet e tjera. E nëse krahasimi i realitetit në terren me treguesit e INSTAT nuk mjafton, ka dhe një fakt tjetër që ekspozon farsën e shifrave zyrtare me çmimet.

Ditët e fundit qeveria ka dërguar në Kuvend një projektligj për të kompesuar nga 5 deri në 30 për qind materialet e ndërtimit për kompanitë që kanë fituar tendera publikë. Nëse sipas INSTAT, çmimet janë rritur e materialeve të ndërtimit janë rritur me vetëm 6 për qind, atëherë çdo kompesim mbi këtë vlerë që qeveria do të bëjë për fituesit e tenderave është automatikisht vjedhje dhe abuzim me paranë publike.

Tani kë duhet të besojmë? INSTAT-in që thotë se çmimet e materialeve të ndërtimit janë rritur me 6 për qind apo qeverinë që do kompesojë deri në 30 për qind. Sepse këto janë dy fakte që nuk mund të bashkëjetojnë me njëra tjetrën.

Grafiku, që e nxjerr Shqipërinë si vendin me rritjen më të ulët të çmimeve në rajon mund t’i shërbejë qeverisë për propagandë. Por loja e strucit me kokën në rërë nuk ka asnjë vlerë për qytetarët. Tani të kthehemi tek realiteti.

Kriza aktuale e çmimeve është një dallgë shumë e madhe. Dhe fatkeqësisht paralelizmat historikë janë të zymtë. Aktualisht situata e ekonomisë globale ngjan shumë me atë të viteve 70. Në atë kohë, kriza e çmimeve ishte rezultat i dy faktorëve. Shpenzimeve të larta qeveritare në vitet 60 dhe fatit të keq, kur vendet arabe të OPEC vendosën embargo nafte ndaj SHBA. Këtë herë situata është thuajse identike. Shpenzimet e larta qeveritare për pandeminë janë kombinuar po me fatin e keq të luftës në Ukrainë.

Kriza e viteve 70 e mbajti botën të mbërthyer në një spirale të çmendur inflacioniste për gati dy dekada. Ky është dhe risku më i madh i botës sot. Sigurisht qeveria shqiptare nuk ka përgjegjësi në krizën botërore të çmimeve. Por ajo ka përgjegjësinë dhe detyrimin për të zbutur pasojat e saj duke menaxhuar sa më mirë burimet ekonomike të vendit.

Në finale e gjitha sfida është që kriza e çmimeve mos të shndërrohet në një krizë prodhimi. Nëse çmimet vazhdojnë rriten ato gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve duke rrudhur konsumin dhe kërkesën agregate në ekonomi. Një qeverie e përgjegjshme do duhet të zbusë renien e fuqisë blerëse tek familjet përmes rritjes së transfertave buxhetore, që nga rrogat, pensionet dhe transfertat sociale. Kurse një qeveri që fsheh kokën si struci, bën propagandë me grafikët e rremë të INSTAT.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej