Kush po i kërcënon të penduarit e mëdhenj të drejtësisë?!

Ka disa ditë që ministria e Drejtësisë, e përkatësisht Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka rritur masat e sigurisë në të gjitha strukturat e saj. Disa sinjale që kanë ndodhur brenda strukturave të Sigurisë së Lartë në burgjet e vendit kanë alarmuar autoritetet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Që nga ministria e Drejtësisë, SPAK, BKH, madje edhe FBI i kanë marrë seriozisht zhvillimet, të cilat konsiderohen shqetësuese.

Po ç’ka ndodhur? Depërtimi i një lënde toksike në një burg të rëndësishëm ku ndodhen të penduar të drejtësisë është konsideruar si një mundësi që gjërat mund të dalin jashtë kontrollit.

Që prej 48 orësh është centralizuar thuajse çdo dërgesë ushqimore dhe pijesh që hyjnë në hapësirat e burgjeve më të rëndësishme në vend, për të ndaluar çdo incident që nuk është gjë e re, e ka ndodhur edhe në vende më të zhvilluara se Shqipëria. Ku janë helmuar persona që kanë nisur të flasin në dobi të drejtësisë qoftë në New York, Palermo apo vende të tjera ku ka pasur hetime ndaj krimit të organizuar.

Por realisht ç’po ndodh? Duhet thënë se e gjithë kjo tronditje ndodhi vetëm pas sinjaleve që Nuredin Dumani, apo edhe të penduar të tjerë kanë nisur të flasin për lidhjet e politikës me krimin e organizuar.

Jemi në situatën, kur për herë të parë në dosjet e prokurorisë kanë dalë deklarata mbi politikanët. Që flasin për krime të shkallës së parë, për vrasje. Që sipas Kodit Penal dënohen mbi 15 vjet. E kjo është gjithçka që ka sjellë kërcënimet. Gjithë tmerri i pengimit të drejtësisë në Shqipëri ka ndodhur pikërisht kur bëhej fjalë për vrasje si vepër penale, që është më e rënda e dënueshme nga 12 deri në burgim të përjetshëm.

Rasti i Remzi Hoxhës ka qenë më ikoniku, ku për herë të parë një prokuror si Xhevat Hana, ka kopsitur dosjen penale, sipas të cilës kishte një piramidë shtetërore pjesëmarrëse në torturimin e zhdukjen e pjestarit të rezistencës. Ku u shënjestruan zyrtarë të lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar, të cilët kanë qenë përgjegjës për aktin. Por të gjithë këta, që u cilësuan fajtorë u mbrojtën nga Sali Berisha atëherë kryeministër.

Përse Berisha nuk lejoi që ata të dënoheshin si fajtorë? Përse Sali Berisha nuk lejoi që procesi të rrjedhë normalisht? Thjesht sepse frikësohej se do të flisnin, të tregonin arsyet e rrëmbimit të Remzi Hoxhës dhe urdhrat që u dhanë. Çdo vrasje, çdo krim, ka një arsye dhe një dërgues. Drejtësia shqiptare nuk është marrë asnjëherë me përfituesit, bashkëpunuesit e ideatorët.

E kjo është në fakt arsyeja që po sjell një pështjellim të madh lart. Që në fakt përbën dilemën hamletiane; a do të hetohen njerëzit që kanë urdhëruar vrasjet në këtë vend? Nëse jo atëherë kemi të bëjmë me një vijim të statusquo-së. Ndryshe nga pjesët e tjera të Ballkanit, këtu trazira ose zullumi më i madh i politikanëve ka ndodhur pikërisht tek çështja e pengimit të hetimit të vrasjeve të mëdha. E si të tillë jemi në një fazë, ku po nuk pati një zhvillim të rëndësishëm nga jashtë, pra nga SHBA dhe BE, nuk ka askush këllqe që të nisë hetimet për Sali berishën, Ilir Metën, Edi Ramën, Fatos Nanon etj., etj…/Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej