“Llogaritë?!” Pse “tradhtia” e Agron Çelës mund t’i kushtojë opozitës Bashkinë e Shkodrës

Një foto në portale dhe kaq u desh që Partia e Lirisë të humbë në pak sekonda 25% të forcës së saj parlamentare. Ikja e deputetit të Shkodrës Agron Çela drejt Partisë Socialiste ka qenë pa paralajmërim, një vendim i beftë por i vendosur, siç i ka hije një politikani që vjen nga fusha e biznesit.

Por ndërsa LSI kap minimumin historik me vetëm 3 deputetë, socialistët nisën menjëherë llogaritë e votave për kandidatin e tyre në Shkodër në 14 maj.

Benet Beci nuk u shfaq rastësisht në foton që lajmëroi blerjet e reja të PS-së me Elisa Spiropalin, me deputetin Agron Çela dhe ish-kreun e Partisë së Lirisë në Shkodër, Edmond Ndoun.

Si kandidat i PS për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci tashmë llogarit edhe mbështetjen që do t’i japë Agron Çela. A mund ta bëjë ai diferencën për të përmbysur rezultatin që i dha fitoren Bardh Spahisë?

Nëse llogarisim votat që u morën në datën 7 mars, rezulton se:

• Bardh Spahia i Shtëpisë së Lirisë mori 20 mijë e 125 vota

• Majlinda Angoni e Partisë Socialiste mori 18 mijë e 176 vota

Diferenca e votave mes PS dhe kandidatit të Shtëpisë së Lirisë ishte 1 mijë e 949 vota.

Sa është fuqia elektorale e Agron Çelës?

Deputeti i LSI-së, në zgjedhjet e 25 Prillit të vitit 2021 mori i vetëm 2656 vota preferenciale.

Pra influenca e tij në Shkodër duket të jetë e konsiderueshme dhe e tejkalon ndjeshëm nevojën e socialistëve për të fituar Bashkinë e Shkodrës.

Por për të marrë Bashkinë e Shkodrës, socialistët kanë nevojë që kushtet të jenë të njëjta me 7 Marsin. I domosdoshëm në këtë ekuacion është kandidati që e përçan akomë më shumë të djathtën dhe ai i takon Enkelejd Alibeajt.

Në zgjedhjet e pjesshme të 7 marsit, Lulzim Basha futi në garë Xhemal Bushatin, që mori jo pak, por 7 mijë e 739 vota për PD e Lulzim Bashës.

Prandaj me largimin e deputetit të Ilir Metës dhe me një PD të paaftë për t’u bashkuar, socialistët sot fërkojnë duart dhe ndjehen më afër se kurrë Shkodrës, një bastion i të djathtës që nuk e marrin dot prej 32 vitesh pluralizëm./Lapsi.al

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej