Lufta në Ukrainë vë në rrezik ekonominë botërore! FMN: Ekonomia globale po tkurret, rrezik inflacioni

Ekonomia botërore do të ketë rimëkëmbje të vështirë pas agresionit rus në Ukrainë. Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron ngadalësim të ekonomisë globale, e cila do të zbresë në 3.2% nga 6.1% që ishte rritja në vitin e kaluar. Rritja ekonomike e parashikuar është 0.4% më e ulët se ajo e prillit të këtij viti.

“Prodhimi global u tkurr në tremujorin e dytë të këtij viti, për shkak të rënieve ekonomike në Kinë dhe Rusi, ndërkohë që shpenzimet konsumatore të SHBA-së ishin më pak se pritshmëritë”, tha në raportin e fundit FMN.

E njëjta situatë e zymtë paraqitet edhe për Evropën, e cila si pasojë e luftës në Ukrainë po ndjek politika të forta monetare ndërsa po përballet me një rritje të shpejtë të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, përballë një kërkese në rritje.

Sipas ekspertëve të FMN inflacioni në ekonomitë e zhvilluara do të arrijë në 6.6%, ndërsa në ekonomitë që janë në zhvillim do jetë 9.5%. Të dy këto tregues janë në rritje në raport me parashikimet e bëra në muajin prill. Nëse inflacioni do të vijojë rritjen, pritet tkurrje e mëtejshme e prodhimit botëror, ndërsa vlerësohet e rrezikshme edhe ndërprerja e importeve të gazit nga Rusia.

“Rreziqet ndaj perspektivës kanë anuar në mënyrë dërrmuese nga ana negative. Lufta në Ukrainë mund të çojë në një ndalesë të papritur importet evropiane të gazit nga Rusia; inflacioni mund të jetë më i vështirë për t’u ulur”, vijon më tej raporti i FMN.

Një situatë e tillë do të vinte në pozita të vështira ekonomitë në zhvillim të cilat do të detyroheshin të rrisin borxhin, ndërkohë që ngrihet shqetësimi që fragmentimi gjeopolitik mund të pengojë tregtinë dhe bashkëpunimin global. Prioriteti i qeverive sipas FMN-së duhet të jetë zbutja e inflacionit e kombinuar me politikë monetare më të shtrënguar.

“Me rritjen e çmimeve që vazhdon të shtrydhë standardet e jetesës në mbarë botën, zbutja e inflacionit duhet të jetë prioriteti i parë për politikëbërësit. Politika monetare më e shtrënguar në mënyrë të pashmangshme do të ketë kosto reale ekonomike, por vonesa vetëm sa do t’i përkeqësojë ato”, thuhet ndër të tjera.

Ndërsa fokusi i politikave mbështetëse duhet të jenë të orientuara tek shtresat në nevojë.

“Politikat për të adresuar ndikimet specifike në çmimet e energjisë dhe ushqimeve duhet të fokusohen tek ata që janë më të prekurit pa shtrembërimin e çmimeve”, thotë FMN.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej