Polumbarët e RENEA-s kanë mbërritur te ura e Mbrostarit në Fier, ku dyshohet se një makinë ka rënë në lumin Seman gjatë orëve të para të mëngjesit.
Policia e Fierit ka dhënë informacion për ngjarjen duke njoftuar se makina e marrë me qira drejtohej nga shtetasi Mateo Lika, nga Fieri, por është e paqartë nëse ka patur persona të tjerë.
Dyshimet se një makinë mund të jetë rrëzuar në lumin Seman u ngritën kur në vendin e ngjarjes u gjet një targë, ndërsa barrierat e urës ishin shkatërruar.
Informacion paraprak nga policia:
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur “Ura e Mbrostarit”, janë konstatuar të thyer parmakët anësore të njërit krah të kësaj ure.
Në anë të rrugës është gjetur targa e një automjeti. Nga verifikimet rezultoi se kjo targë i përket një automjeti të marrë me qera nga shtetasi Mateo Lika, 26 vjeç, banues në Fier, me të cilin nuk është bërë e mundur marrja e kontaktit pasi numri telefonit del i fikur.
Priten polumbarët e Renea-s për të kontrolluar përgjatë lumit me qëllim gjetjen e automjetit nëse ka rënë në lum.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.