Nuk ka më asnjë dyshim. Drejtoria e Transportit, Shoqata e Autoshkollave dhe Drejtoria e Tatimeve kanë firmosur një marrëveshje kriminale që do të sjellë dyfishimin e çmimit për patentat.
Dje një lajmi tillë mori dhenë dhe në mbrëmje kreu i Drejtorisë së Transportit, Blendi Gonxhe doli me një reagim duke mohuar rritjen e çmimit. Mirëpo në fakt, çmimi do të rritet dhe kushdo që do të duhet të marrë një patentë automjeti, duhet të paguajë afro 1 milionë lekë të reja.
Por çfarë ka ndodhur realisht?
Kreu i Drejtorisë së Transportit Blendi Gonxhja, kreu i Tatimeve, Ceno Klosi dhe kreu i Shoqatë së Autoshkollave, Behar Laze, kanë firmosur një marrëveshje, e cila sipas tyre ka si qëllim të ulë informalitetin me dhënien e patentave. Por që në fakt ata që e pësojnë janë qytetarët. Në marrëveshje thuhet shprehimisht se për patentat e klasit B, kostoja minimale fiskale do të jetë si më poshtë: Për marrjen e njohurive teorike – 30 mijë lekë; Për marrjen e njohurive praktike- 55 mijë lekë; Totali për marrjen e patentës B – 85 mijë lekë.
Nëse fusim këtu pagesat për kontrollin mjekësor, si dhe pagesën për kartonin e patentës, çdo kush duhet të paguajë në fund afro 1 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë gazetari Klodin Tomori ka nxjerrë edhe një pjesë të marrëveshjes, ku shprehet se marrëveshja nuk ka aspak karakter fiskal, por kemi të bëjmë me fiksim çmimi.
“Palët janë dakortësuar se tarifat e pagesës së përgatitjes për marrjen e njohurive teorike dhe njohurive praktike për drejtues mjeti (Kosto minimali fiskale K.M.F duke përfshirë dhe TVSH) … do të jetë e njëjtë për të gjithë subjektet që zhvillojnë aktivitetin autoshkollë në Republikën e Shqipërisë dhe do të jetë sipas tabelës së mëposhtme dhe është pjesë përbërëse e kësaj marrëveshje”, thuhet në marrëveshje.
Ndryshe nga sa deklaroi Gonxhja dje, i cili u mundua ta fshihet këtë marrëveshje kriminale, sot përfaqësues të shoqatave të autoshkollave e kanë pranuar hapur se do rritet çmimi, ndonëse justifikohen se do eliminohet korrupsioni. Ndërkohë që të gjithë e dinë e korrupsioni ndodh mes autoshkollave dhe Drejtorisë së Transporteve.
“Leje drejtimi e kategorisë B për 15 ditë 36 orë mësim që i bie 300 mijë lekë të vjetra me gjithë pagesën e TVSH ndërsa praktika ajo është 40 minuta dhe nga 25 seanca që behej tani janë 34 seanca praktikë dhe kushton 16 mijë lekë të vjetra një seance dhe i bie tek 55 mijë lekë, leja e drejtimit e kategorisë B do të shkojë 85 mijë lekë”, deklaroi Tonin Gjinaj në media.
Marrëveshja hyn në fuqi në mars dhe tani të gjithë ata që duan të marrin një patentë, duhet të mendohen mirë, pasi duhet të kënaqin orekset e Gonxhes, Lazes dhe Ceno Klosit. /Pamfleti