Me një “aleat” si Sali Berisha, kujt i duhen armiqtë?

Nga Geri Kokalari

Opinioni me titull “Berisha është aleati më i mirë i SHBA-ve në Ballkan” nga Nikola Kedhi në edicionin e datës 21 qershor të Newsmax, i përshkruan rrethanat e Sali Berishës si “të papërshtatshme për të marrë një vizë për në Shtetet e Bashkuara.” Për të qenë më specifik, Sali Berishës i është ndaluar hyrja në SHBA sepse Sekretari i Shtetit, Antoni Blinken e ka shpallur Berishën persona non-grata “për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm”.*

Z. Kedhi thotë se nuk është paraqitur asnjë fakt kundër z. Berisha, pavarësisht kërkesave të bëra nga kongresmenët Zeldin dhe Ric Grenell. Kjo tezë–e fabrikuar nga Berisha dhe servilët e tij–mbështetet te fakti se Xhorxh Soros na paska marrëdhënie me Sekretarin Blinken dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe ata paskan komplotuar në mënyrë që Sali Berisha dhe familja e tij të sanksionohej për korrupsion. Për fat të keq, njerëz si Zeldin dhe Grenell kanë “nevojë të besojnë” se Sorosi është gogoli i çdo republikani.

Nuk është aspak sekret fakti që Sorosi dhe Rama kanë raporte me njëri-tjetrin, por unë kam intervistuar arkitektin e këtij “komploti”, një punonjës i East West Management (një OJQ e themeluar nga Sorosi, por tani e financuar nga burime të tjera, përfshi këtu Bankën Aziatike të Zhvillimit, USAID-in, OKB-në, Komisionin Europian, Fondin Rockefeller Brothers, etj.) dhe pas atij diskutimi dhe kërkimeve të tjera të bëra, jam i bindur se historia sipas së cilës Sorosi ka ndërhyrë në Departamentin e shtetit për llogari të Ramës është një broçkull.

Sa për dijeni, unë nuk jam ndonjë admirues i madh i Sorosit, sepse mendoj se qëllimi i tij për ta drejtuar Amerikën drejt ekstremit të majtë është diçka e keqe për vendin tonë dhe do të doja që ai të ushtronte më pak ndikim, veçanërisht për sa i përket përpjekjeve për të ndikuar në emërimet në gjyqësor. Dhe për të qenë plotësisht transparent, unë kam pasur të bëj me Sali Berishën dhe e di që ai është një nga personat që mund të vendoset më shumë me shpatulla pas muri me anë të fakteve. Pavarësisht vlerësimeve të njëanshme të bëra nga z. Kedhi, shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar e konsiderojnë Berishën si një nga pengesat më të mëdha të përparimit të Shqipërisë si një vend demokratik, që kur ai e zaptoi Partinë Demokratike 30 vite më parë.

Unë jam një shqiptaro-amerikan dhe i përkas brezit të tretë të një familjeje që ka qenë mjaft aktive në çështjet e komunitetit shqiptaro amerikan për më shumë se një shekull. Krahas themelimit të shoqatës “Shqiptarët për një Shqipëri Demokratike”, unë kam qenë po ashtu një anëtar bordi dhe përgjegjës i çështjeve financiare i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Kam qenë gjithashtu përgjegjës për hapjen e zyrës sonë në Uashington –zyra e parë e lobimit e krijuar për shqiptaro-amerikanët në Uashington.  Ndërkohë, kam qenë personalisht i përfshirë në fushatën e lotimit që çoi në ndërhyrjen ushtarake të udhëhequr nga SHBA dhe që i dha fund spastrimit etnik të Milosheviçit në Kosovë. Mund të them me krenari që babai im dhe xhaxhallarët e mi kanë shërbyer në forcat e armatosura amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në Luftën e Koresë.

Pavarësisht tentativës së servilëve të Berishës për të na hedhur hi syve me anë të teorive të komploteve të Sorosit dhe pasi kam kaluar një kohë të konsiderueshme gjatë tre dekadave të fundit duke ekspozuar afera të mëdha korrupsioni në Shqipëri (gjatë qeverisë socialiste dhe demokratike), unë kam bindje të plotë se ekziston një dosje për familjen e Berishës. Është një dosje goxha voluminoze dhe përmban raporte komprometuese nga Departamenti i Shtetit, CIA, FBI dhe burime të tjera.

Ndonëse sekretari Blinken ende nuk ka dhënë ndonjë informacion për të mbështetur akuzat e tij për korrupsionin e Berishës, nuk do të ishte aspak e vështirë për të zbuluar malin me prova që vërtetojnë poshtërsitë e qeverive të drejtuara nga Sali Berisha duke filluar me anarkinë e skemave piramidale të vitit 1997.  Z. Kedhi mund të jetë shumë i ri për të kujtuar atë periudhë të errët në historinë e Shqipërisë, por jam i bindur se nëse ai pyet të afërmit e tij dhe pjesën më të madhe të shqiptarëve, ata do të kujtojnë se si Berisha shfaqej përkrah Vehbi Alimuçës (Berni Madofi i Shqipërisë), drejtuesi kriminel i shoqërisë Vefa, e cila ishte një nga skemat më të mëdha piramidale në Shqipëri, ndërkohë që Berisha deklaronte që paratë e shqiptarëve ishin të sigurta.

Ndërkohë që ai vazhdonte ta mbështeste Vefa-n, Berisha i shpërfilli paralajmërimet e shumta që vinin nga Banka Botërore, FMN dhe ekspertë të ndryshëm financiarë që i bënin thirrje t’u jepte fund skemave piramidale, por këto skema vazhduan të zgjeroheshin–ashtu siç e parashikova unë–dhe kjo situatë pasoi me një luftë civile që shkaktoi mijëra të vdekur dhe gjysmës së popullsisë shqiptare iu zhvatën kursimet e jetës. U desh ndërhyrja e SHBA-së dhe e BE-së për të rivendosur sërish rregull në Shqipëri. Por Berishës nuk iu cenua aspak stili i jetës. Në fakt, pasi u rrëzua nga qeveria, ai u shpërngul në një apartament të ri dhe luksoz në lagjen më të shtrenjtë të Tiranës.

Më pas ishte edhe skandali i AEY-së ku qeveria e Berishës tentoi t’i shiste municione të vjetra e të paligjshme kineze me vlerë 300 milionë dollarë Departamentit Amerikan të Mbrojtjes me anë të AEY-së, një kompani me seli në Majami dhe Henri Thomet, një trafikant i njohur i armëve në tregun e zi, i cili është i njohur për marrëveshjet e tij me qeveritë e korruptuara. Kosta Trebicka, një biznesmen shqiptar, të cilit kompania AEY i kish dhënë kontratën fillestare për të ripaketuar municionet kineze, më dha informacione për këtë skandal, pasi ai ishte përjashtuar nga marrëveshja.

Ai më informoi se kontrata ishte pezulluar për shkak të presionit të ushtruar nga qeveria e Berishës për t’ia dhënë atë një miku të Berishës, i cili thuhej se ishte ortak biznesi me Shkëlzen Berishën, të birin e Sali Berishës. Gjatë një bisede telefonike të regjistruar mes Efraim Diverolit, President i AEY-së dhe Trebickës, teksa shprehu shqetësimin e tij për sa i përket korrupsionit në Shqipëri, Diveroli tha: “Çështja ka shkuar deri te kryeministri (Sali Berisha) dhe i biri. Unë nuk luftoj dot me mafien. Është bërë çështje shumë e madhe. Kafshët kanë dalë jashtë kontrolli.” **Departamenti i Drejtësisë e dënoi Diverolin dhe bashkëpunëtorët e tij të AEY-së për mashtrimet e bëra ndaj qeverisë amerikane; për fat të keq, ata anëtarë të qeverisë së Berishës që ndihmuan në këtë skemë, mbetën të paprekur për shkak të lidhjeve politike.

Marrëveshja e AEY-së me qeverinë Berisha ishte një përpjekje për të mashtruar Departamentin tonë të Mbrojtjes për një shumë prej 300 milionë dollarësh dhe me krenari mund të them që unë e kam demaskuar skandalin e AEY-së dhe kjo aferë paraqitet edhe në librin War Dogs, i cili flet për AEY-në dhe më vonë u bë edhe film me protagonistë Bradley Cooper dhe Jona Hill. Për fat të keq, gjashtë muaj pasi ky libër doli edhe në faqen e parë të New York Times më 27 mars 2008***, Kosta Trebicka u gjend i vdekur në rrethana të dyshimta në një rrugë rurale në jug të Shqipërisë.

Më pas kemi edhe privatizimet e ARMO-s dhe Albpetrol-it, dy nga asetet më të mëdha shtetërore në Shqipëri duke iu shërbyer në “pjatë argjendi” Rezart Taçit, një miku të Berishës, duke përdorur procedura të manipuluara tenderimi. Që të dy tenderat iu dhanë fillimisht kompanive fantazmë derisa Taçi u shfaq si fitues në çastin e fundit. Në rastin e ARMO-s, sipas Transparency International ****, një raport auditi nga Deloitte doli në përfundimin se AMRA (kompania guaskë e përdorur nga Taçi për të pasur nën kontroll ARMO-n) nuk i përmbushi zotimet e marra për investimet. Taçi nuk i përmbushi dot detyrimet financiare të parashikuara në kontratë, sepse ai paraqiti një situatë financiare fiktive gjatë procesit të tenderimit dhe kjo çoi në falimentimin e ARMO-s.

Si për rastësi, në jetëshkrimin e z. Kedhi thuhet se ai punon si konsulent financiar me Deloitte, kështu që ai mund të ofrojë më shumë informacione në lidhje me auditimin e ARMO-s. Pavarësisht fiaskos së ARMO-s, qeveria e Berishës pati guximin që t’ia jepte tenderin e Albpetrol-it Taçit dhe ai mund ta kishte zhvatur edhe atë aset shtetëror po të mos ishte për ndërhyrjen time për të vërtetuar se garancia bankare me vlerë 100 millionë dollarë që Taçi tentoi ta përdorte në mbështetje të ofertës së tij ishte një mashtrim i pastër. **** Si ARMO ashtu dhe Albpetrol ishin shembull i pastër i praktikave korruptive të qeverisë Berisha dhe ndoshta një ditë, Taçi mund të thirret të dëshmojë për rolin e tij në këto mashtrime.  Për fat të keq, na duhet të presim, sepse aktualisht, Taçi është në kërkim nga drejtësia për akuza mashtrimi dhe pastrim parash për llogari të mafies palermitane.

Pse është një çështje e rëndësishme kjo? Pikësëpari, Shqipëria njihet si një nga aleatet më të mëdha të SHBA-së. Për ta ilustruar me shembuj, Shqipëria ka dërguar ushtarë për misionet tona ushtarake në Afganistan dhe Irak dhe ajo ka strehuar edhe refugjatë nga Afganistani, Ukraina dhe Kina (ujgurë) e po ashtu disidentë iranianë. Shqipëria njihet edhe për strehimin e refugjatëve hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore gjatë pushtimit nazist. Ndaj është e rëndësishme që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të mos minohen nga asgjë. Unë kam frikë se përpjekjet e Berishës dhe të disa provokatorëve po i dëmtojnë këto lidhje. Kjo gjë po hedh baltë edhe mbi imazhin e Amerikës në sytë e shqiptarëve, të cilët, që prej rënies së komunizmit, e kanë parë SHBA-në si një dritë shprese. Ndërkohë, korrupsioni dhe kriminaliteti janë probleme të mëdha në Ballkan dhe nëse Berisha është përgjegjës për praktika korruptive, SHBA duhet të ushtrojë më shumë presion për dënimin e Berishës në mënyrë që ai të paguajë për krimet e tij e të bëhet shembull për të tjerët.

Me një “aleat” si Sali Berisha, kujt i duhen armiqtë?

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej