Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për media një ditë para protestës së 11 shkurtit, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po tenton “dëshpërimisht” të fshehet, për të mos dhënë llogari, sipas tij për dhjetra skandale ku është përfshirë.
Meta e akuzoi Ramën si përgjegjës për korrupsionin madhor, tentativën për eleminimin e opozitës, shpopullimin e vendit dhe varfërimin e shqiptarëve, duke thënë se tashmë populli e ka marrë vendimin për ta larguar.
“Nesër populli flet dhe të gjithë duhet të dëgjojnë dhe t’i binden vullnetit të tij”, deklaroi Meta.
“Fshehja e dëshpëruar e Edi Ramës dhe shmangia e llogaridhënies me shpresën se mund të kalojë situatën, janë iluzion i një të mbyturi që mendon se mund të kapet pas fijes së barit. Populli i Shqipërisë jam i bindur se e ka marrë vendimin, ai s’mund të lejojë kurrë që Edi Rama ta trajtojë zyrën e Kryeministrit si çerre mafioze dhe vatër korrupsioni. Populli ka vendosur që Edi Rama të largohet një orë e më parë si një mafioz tashmë i provuar edhe në botë.
Edi Rama tashmë është vetëm një subjekt i merituar për drejtësinë, për veprimet e tij shumë të rënda kundër kushtetutës, pluralizmit të Shqipërisë. Edi Rama është tashmë me fakte i provuar si korruptuesi i McGonigal, si koka e qindra aferave dhe tjetërsimit të pronave të shqiptarëve. Edi Rama është sot shkaku kryesor i mjerimit të shqiptarvëe, përgjegjësi kryesor për shpopullimin e Shqipërisë, por edhe mbipopullimin e burgjeve të Shqipërisë. Shqipëria dhe shqiptarët janë këtu me mijëra vjet, dhe nuk do lejojnë kurrë që një gjakprishur të shprishë ekzistencën e tyre. Nesër populli flet dhe të gjithë duhet të dëgjojnë dhe t’i binden vullnetit të tij”, u shpreh kreu i PL, Ilir Meta.