Muhamet Rrumbullakun prezantohet si drejtor i ri i Policisë së Shtetit

Muhamet Rrumbullaku, oficer me gradën Drejtuesi i Parë, me një karrierë prej mbi 30 vjetësh në Policinë e Shtetit u emëruar nga kryeministri Edi Rama si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të mërkurën.

Në një fjalim prezantimi që zgjati një orë, i mbushur kryesisht me kritika e deri akuza të aluduara për ish-drejtorin e  shkarkuar të Policisë së Shtetit Gledis Nano, Rama mburri punën e Rrumbullakut në AMP, që sipas tij kishte sjellë dënimin me burg 29 punonjësve të policisë vetëm në 6 muajt e parë të vitit.

Kryeministri pretendoi në fjalën e tij se policia ishte në një udhëkryq. Ai aludoi se “Në muajt e fundit kanë marrë një lloj hovi të paudhët dhe paudhësitë brenda llojit”. Rama pati fjalë të ashpra edhe për strukturat e IKMT-së, në drejtimin e të cilave riktheu Dallandyshe Bicin e larguar prej aty pas kandidimit të pasuksesshëm në zgjedhjet parlamentare.

Kryeministri foli për kate të paligjshme shtesë në kullat rreth Sheshit Skënderbej, ndërsa aludoi se ndaj tyre ishin mbyllur sytë e policia ishte sulur pas fshatarëve që kishin bërë mure avllish e “shtrim pllakash pa leje”. Ai po ashtu aludoi se policia nuk kishte vepruar pas sinjalizimeve nga partnerët italianë për fusha me kanabis dhe kishte vendosur gjoba bizneseve. Rama tha se kjo pjesë e strukturave të policisë, i bënin veprimet “bekimin e shefit apo të shefit të shefit të tyre se nuk ka si të ndodhë ndryshe”.

Fjala e kryeministrit tingëlloi edhe si përpjekje për të justifikuar shkarkimin e Gledis Nanos, i cili gëzonte mbështetjen publike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Veç Rrumbullakut dhe Bicit, Rama prezantoi edhe Ardi Veliun, i cili merr nga Rrumbullaku detyrën  në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policiore.  Veliu rikthet në një pozicion të lartë brenda Ministrisë së Brendshme, pak muaj pasi u dorëhoq, pas një morie kritikash e protestash, nga funksioni i Drejtori të Përgjithshëm.

Ndërkohë Rrumbullaku mbante prej vitit 2019 detyrën e drejtuesit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa më herët ka shërbyer si Drejtori i Policisë së Tiranës dhe zëvendës drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit deri në vitin 2013.

Megjithatë karriera e Rrumbullakut në polici ndaloi pasi Partia Socialiste fitoi zgjedhjet dhe mandatin e parë qeverisës në vitin 2013. Fotoja e Rrumbullakut dhe dy ish-drejtuesve të tjerë të lartë të policisë me të dënuarin me burg për jetë Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013, u përdor gjatë fushatës prej socialistëve si provë e keqfunksionimit të Policisë së Shtetit nën drejtimin e qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në vitin 2014 Rrumbullaku u mënjanua nga strukturat e Policisë së Shtetit, për tu rikthyer në vitin 2017 si këshilltarë i Dritan Demiraj, ministër i Brendshëm i një qeverie teknike para zgjedhjeve të vitit 2017. Në vitin 2019 Rrumbullaku u rikthye zyrtarisht në strukturat e Ministrisë së Brendshme si drejtues i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, AMP.  Gjatë një procesi vetingun brenda radhëve të Policisë së Shtetit, Rrumbullaku dha sqarime për foton që pretendoi se ishte rastësore dhe e bërë 2 vjet para vrasjes për të cilën u dënua Arben Frroku. Rrumbullaku e kaloi me sukses procesin e rivlerësimit.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej