“Mund të arratiset dhe të prishë provat”, zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë që la në burg filo-grekun Beleri

Çështja e arrestimit të Fredi Belerit, prej muajsh është kthyer në ”mollë sherri” mes Tiranës dhe Athinës zyrtare. Pas shumë zërave dhe aludimeve nga ana e palës greke, është zbardhur dhe vendimin i Gjykatës së Lartë i cili vendosi të linte në burg Belerin.

Sipas këtij vendimi, të datës 25 korrik 2023, trupi gjykues shpreh dyshimet se Fredi Beleri mund të dëmtonte provat dhe për këtë arsye vendosi mbajtjen e tij në qeli. Ky fakt bazohet në zhdukjen e pajisjes ku memorizohen regjistrimet e kamerave të sigurisë në lokalin në pronësi të Fredi Belerit në Himarë ku u bë edhe pagesa e 40 mijë lekëve për votat e 8 qytetarëve më 12 maj.

Nga procesverbali i datës 12.05.2023 në ambientet e lokalit, ku personat zhvillojnë takimet, ka pasur kamera të instaluara por nga kontrolli nuk është gjetur pajisja regjistruese dhe se ky fakt tregon se rreziku për të ndikuar në provat e çështjes është real.

Një tjetër argument, ka qenë rreziku që Beleri ti shmanget drejtësisë, siç bëri me dënimin e dhënë në vitin 2006, nga Gjykata e Vlorës me 3 vjet burg për thirrje urrejtjeje nacionaliste.

‘Ndaj Z. Dhionisios Alfred Beleri ekziston rreziku për t’iu shmangur procedimit penal apo të largohet. Edhe në gjykimin dhe dënimin e mëparshëm penal, nga i cili është deklaruar fajtor e dënuar përfundimisht me tre vjet burgim, i pandehuri i është shmangur për vite të tëra të ekzekutimit të vendimit të formës së prerë, duke u passjellë shuarjen e dënimit”, thuhet në dosje.

Në vendim, citohet dëshmia e personit të identifikuar me emrin “Detari”, i cili denoncoi Belerin për pazare votash që më pas shërbeu si agjent i infiltruar për dokumentimin e rastit dhe kapjen në flagrancë të personave të përfshirë në krim zgjedhorë.

Unë kam mësuar nga persona të ndryshëm, të cilët i njihja si miq të Fredi Belerit, i cili ishte kandidat për kryetar Bashkie në Himarë për partinë “Omonia”, u kishte ofruar disa miqve të mi lekë për blerjen e votës. Shtetasin Fredi Beleri e njihja prej 10 vitesh pasi unë kisha marrëdhënie biznesi me të, pasi vinte shpesh dhe blinte peshk tek unë për të furnizuar restorantin e tij. Nisur nga ky fakt unë kam shkuar për t’i çuar atij peshkun në vendin e quajtur “Potam” ku shtetasi Fredi Beleri qëndronte zakonisht. Vetë Fredi Beleri në bisedë e sipër më ka thënë vetë të gjeja vota në favor të tij dhe pasi t’i mblidhja të shkoja ta takoja dhe për çdo votë do të më jepte 50 euro për person dhe mua do të më ndihmonte për të bërë dokumente greke”, thotë “Detari”, agjenti i infiltruar i dosjes “Beleri”.

Më tej në dosje personi i identifikuar me kodin “Detari”, tregon se menjëherë pas takimit, shkoi në polici dhe informoi shefin e komisariatit lidhur me ofertën që i kishte bërë Beleri.

Unë i thashë se do t’i ktheja përgjigje dhe menjëherë kam ikur dhe duke parë se po kryhej një aktivitet i paligjshëm kam shkuar dhe kam takuar shefin e Komisariatit të Policisë Himarë E.A dhe i kam treguar të gjithë bisedën që kam bërë me Fredi Belerin. Unë konkretisht i kam treguar shefit të Komisariatit se Fredi Beleri më kishte ofruar lekë në këmbim të blerjes së votës dhe konkretisht ai më kishte kërkuar që unë të mblidhja vota në favor të tij dhe për këto vota ai do të më jepte nga 50 euro për secilën votë…”, tregon “Detari”, agjenti i infiltruar i dosjes “Beleri”.

Beleri po bën një luftë të madhe që të betohet si kryetar bashkie, pasi nëse nuk e bën deri në fund të muajit, e humb këtë të drejtë. Deri më tani i kanë dështuar tentativat. Mësohet se ai ka bërë dy kërkesa të reja në Gjykatën e Lartë dhe mbete të shihet çfarë do të ndodhë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej