Musk premton të shpëtojë njerëzimin! – Brenda 6 muajsh një çip do të instalohet në trurin e njeriut!

Elon Musk deklaroi se një pajisje me valë, e zhvilluar nga kompania e tij e çipave të trurit ‘Neuralink’, pritet të fillojë provat klinike tek njerëzit brenda gjashtë muajve.

Kompania po zhvillon lloje të çipave të trurit që pretendohet se do t’u mundësojnë pacientëve me aftësi të kufizuar që të lëvizin dhe të komunikojnë përsëri. Me bazë në Zonën e Gjirit të San Franciskos dhe Austin, Teksas, Neuralink vitet e fundit ka kryer teste te kafshët ndërsa kërkon miratimin për të filluar provat klinike te njerëzit.

Gjatë një deklarate për mediat Musk u shpreh se është punuar shumë për të bërë gjithçka gati për njeriun e parë që do të jetë pjesë e testimit, dhe se padyshim duhet jashtëzakonisht shumë kujdes dhe siguri që çdo gjë do të funksionojë mirë.

Testi i parë ishte planifikuar të zhvillohej fillimisht në datën 31 tetor të këtij viti, por Musk e shtyu atë pa dhënë një arsye. Prezantimi i fundit publik i Neuralink, më shumë se një vit më parë, përfshinte një majmun me një çip në tru, që luante një lojë kompjuterike duke menduar në mënyrë të pavarur. Musk është i njohur për objektiva të tilla si kolonizimi i Marsit dhe shpëtimi i njerëzimit. Ambiciet e tij për Neuralink, të cilin ai e zhvilloi në vitin 2016, janë të së njëjtës madhësi. Ai dëshiron të zhvillojë një çip që do të lejojë trurin të kontrollojë pajisjet komplekse elektronike dhe përfundimisht të lejojë njerëzit me paralizë të rifitojnë funksionin motorik dhe të trajtojnë sëmundjet e trurit si Parkinson, çmenduri dhe Alzheimer. Ai gjithashtu synon bashkimin e trurit me inteligjencën artificiale.

Musk tha në një prezantim të vitit 2019 se ai synonte të merrte miratimin rregullator deri në fund të vitit 2020- ës. Më pas ai tha në një konferencë në fund të 2021-shit se shpresonte të fillonte provat njerëzore këtë vit.

Neuralink nuk ka arritur në mënyrë të përsëritur afatet e brendshme për të marrë miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – FDA – për të filluar provat tek njerëzit. Musk iu afrua konkurrentit Synchron në fillim të këtij viti për një investim të mundshëm pasi ai shprehu zhgënjimin ndaj punonjësve të Neuralink për përparimin e tyre të ngadaltë.

Synchron përjetoi një moment historik të madh në korrik duke implantuar pajisjen e tij në një pacient në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për herë të parë. Ai mori lejen rregullatore të SHBA për provat njerëzore në 2021 dhe ka përfunduar studimet në katër persona në Australi.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej