Na e certifikoi turizmin edhe Aleks Soros. Tani mund të flemë të qetë. Pas një vere të mbushur si kurrë më parë me artikuj të sponsorizuar për “Maldivet shqiptare”, fiks në kohën e fillimit të sezonit politik, atëherë kur plazhet fillojnë e zbrazen, Aleksandër Soros, financuesi i pushtetit të Edi Ramës, shfaqet në rrjetet e veta sociale dhe, çuditërisht, me një postim gjithashtu të sponsorizuar, uron “vëllain” e tij, Edi Rama, për këtë sezon turistik të suksesshëm.
“Pas shumë kohësh një sukses i tillë për vendin që dikur ishte Korea e Veriut e Evropës”, shkruan Aleksi dhe natyrisht postimin e ka shoqëruar me një foto krahaqafë me “vëllain e dashur”.
I digjej barku Aleksandër Sorosit për suksesin e turizmit shqiptar dhe nuk e paskemi ditur!
Apo për sukseset e ortakut/ushtarit të vet?!
Ose për të dyja?!
Cilido qoftë meraku i Aleksit, ajo që bën më shumë përshtypje në këtë marrëdhënie diabolike, që rri e rri dhe shfaqet në publik me mesazhe të koduara, fiks siç i ka hije një klani mafioz të konsoliduar, është lidhja e ngushtë dhe ndjekja nga afër, saktësisht e dirigjuar prej familjes Soros, e gjithçkaje që ndodh në Shqipëri.
Plaku Soros ia ka kaluar stafetën me të gjitha porositë birit të vet dhe ne si shqiptarë e dimë më mirë se askush tjetër, se fëmijët e diktatorëve janë më gjakatarë se etërit e tyre. Kaq mjafton të dish për të kuptuar akoma më shumë atë që po ndodh në Shqipëri.

Edi Rama, përpara se të shprehë lumturinë e shtirur nëpër rrjetet sociale për turizmin e “Maldiveve shqiptare” le të dalë e të tregojë me çfarë parash janë sponsorizuar gjithë ata artikuj promovues nëpër mediat më të njohura të botës?
Me çfarë parash e mbuloi këtë fushatë të pasqyruar si kurrë më parë në të gjitha mediat e oborrit?
Kush ia dha dhe me çfarë çmimi në këmbim?
Është fëminore të mendosh se këto ndodhën vetë dhe pa pritur e pa kujtuar Shqipëria nga vendi që prodhonte vetëm lajme për korrupsionin dhe mafien më të rrezikshme në Evropë, na u kthye në kopshtin shkëmbor të lulëzuar të Evropës Juglindore!
Kjo ndodhi me dirigjim dhe fatura të majme dhe dora që e ka mbajtur shkopin e dirigjentit u shfaq dje në postimin e sponsorizuar të Aleks Soros.
Shtetin shqiptar e ka marrë në dorë familja Soros e po hargaliset e kënaqet me të. Shteti shqiptar ka rënë në dorë të Aleksit dhe për këtë s’ka më nevojë për prova. Është ashiqare e dukshme se jemi në dorë të Dreqit. Të këtij Djalli shtatshkurtër e shëndetlig që luan e argëtohet e në fund edhe tallet po aq hapur me ne.
Si do të shkojë kjo punë më tej, mund të pyesë ndokush?
Si në dorë të Dreqit… nëse nuk e përzënë, keq e më keq, deri në rrethin e fundit të Ferrit./Pamfleti