Nga Berisha te Rama, si oligarkia (putinizmi) ka mbërthyer politikën

Nga Nebil Çika

Oligarkia në Shqipëri nuk është fantazi, as teori konspiracioni, është një realitet. E planifikuar që në projektimin e Shqipërisë pas diktatoriale ajo sot është e realizuar në kuptimin e plotë të sajë..

Nisi që në vitet 1990 me reformat politike e sidomos ato ekonomike që synuan dhe realizuan trashëgiminë e pushtetit të komunistëve nga socializmi në kapitalizëm.

Ligji 7051 për tokën dhe ligji për privatizimin e objekteve shtetërorë, ishin hapat e para drejt oligarkisë.

Ligji 7051 goditi, jo vetëm pronarët legjitimë, por krijoi kushte për grabitjen e tokave, baza ku do të ndërtohen e krijohen të gjitha pronat e tjera, nga politika.

“Armiqtë tanë janë pronarët”, thoshte Ramiz Alia ne 1989.

Edhe ata që përfituan nga ligi 7051nuk është se ju dha ndonjë mundësi për të jetuar mirë e për tu bërë të pasur.

Më shumë i lidhi një pjesë të fshatarësisë me atë copë tokë që sot nuk mjafton as për të mbajtur familjen, pra nuk është një biznes i sigurt gjë që çoi në braktisjen e ekonomisë bujqësore në përgjithësi në shumicën e territorit të vendit. Privatizimi i pronave shtetërore, kryesisht, atyre të shërbimeve, që me ligj iu dha atyre që punonin në to në diktaturë, kryesisht njerëz të besuar të shtetit komunist, krijoi një klasë që jetonte më mirë se të tjerët por jo një klasë që do të mund të pasurohej mjaftueshëm.

Në fazën e parë të kapitalizmit shqiptar dominoi emigracioni me të ardhurat e tij që ishin shumë krahasuar me situatën e rëndë ekonomike që trashëguam nga komunizmi.

Por edhe kjo e ardhur e shpërndarë në shumicën e familjeve shqiptarëve, pasi pjesa më e madhe kishte një njeri në emigracion u shkatërrua sa hap e mbyll sytë nga firmat piramidale në 1997.

Për shkak kësaj, në fund të mandatit të parë qeverisës të PD ekonomia shqiptare doli “si rruar- qethur ” dhe të pasurit ishin të paktë dhe jo në nivelet me të cilat e matim dhe e përcaktojmë sot këtë shtresë.

Në qeverisjen Nano në vitin 1997- 2005 një pjesë e vogël e biznesit, kryesisht politik, ish zyrtarë të komunizmit u përcaktuan dhe stimuluan të ishin klasa e kapitalistëve të mëdhenj shqiptar. Kryesisht me para publike por edhe me korrupsion, kontrabandë, evazion fiskal, trafik droge e të tjera veprimtari të paligjshme, që mbështeteshin nga qeveria në shkëmbim të ryshfeteve.

Pra, u ngrit një klasë të pasurish, afër por jashtë pushtetit politik sigurisht me lidhje të ngushta me të, sponsorizues të politikes por jo pjesë e drejtpërdrejtë e sajë.

Pra, Nano krijoi një klasë ekonomike që i mbështeste dhe e mbështesnin por shumica e politikanëve aktiv të tij nuk u bënë pjesë e sajë drejtpërdrejtë. Nuk them që politikanët nuk bënë para e pasuri por në përgjithësi pati një ndarje midis tyre dhe pushtit politik dhe për sa i përket interesave ekonomike të njëri tjetrit.

Biznesi, i ligjshëm dhe i pa ligjshëm, paguante kesh për favoret politikën por hesapet ishin në pjesën më të madhe të ndara midis tyre.

Të ardhurat siguroheshin kryesisht nga evazioni fiskal, trafiqet e pa ligjshme dhe krimi dhe fare pak nga paratë e pasuritë publike që ishin të pakta dhe jo efeçientë, pasi vidheshin pa u bërë të tilla ose nuk mund të viheshin në shfrytëzim për shkak të pamundësisë financiare për ta bërë një gjë të tillë.

Në vitin 2005 erdhi me një klasë të pasur spekulative të kriminalizuar por jo me rol të dukshëm në vendimmarrjen politike.

Ardhja e PD në pushtet në 2005 me premtimin e madh të luftës kundër korrupsionit solli një ndryshim të strategjisë që shënon edhe hapat e parë të oligarkisë politike në Shqipëri.

Klasa kapitaliste e Nanos, përgjithësisht, u la jashtë kësaj skeme, ishte e planifikuar apo nuk u përshtat do vet, kjo është një tjetër çështje, por qartësisht kapitalistët e Berishës, në masë, ishin të tjerë individë e kompani që në kohën e Nanos ose nuk ekzistonin ose ishin në nivele të dyta e të treta.

Baza e tyre e pasurimit ishin kryesisht pasuritë dhe paratë publike. Investimet e mëdha publike si rrugët hedhin në treg shumë para nga buxheti i shtetit dhe sigurisht që këto shkuan tek kompani të preferuara të qeverisë.

Politika e koncesioneve ishte mundësia e madhe e grabitjes se pasurive publike, burimeve të naftës, minierat, burimet ujore etje. Projekti i madh energjetik i Berishës që pretendonte ta bënte Shqipërinë “superfuqi rajonale energjetike “çoi në privatizimin apo marrjes nën kontroll të shumicës se burimeve ujore në Shqipëri të një grushti biznesmenësh gjë që u mundësua nga licencat që jepeshin prej qeverisë.

Kjo bëri që shumica e burimeve ujore të bëhen pronë e një grushti pronarësh me lejen e qeverisë.

Kjo solli solli gjithashtu, reagime të shumta të banorëve të zonave të cilët u privuan nga përdorimi i një prej pasurive publike historike siç është uji me të cilin nuk mund të vdisnin me tokat e tyre pas marrjes me koncesion për hidrocentralet, duke pakësuar apo humbur fare ato pak të ardhura që nxirrnin prej tyre, ndërkohë që përfitimet nga hidrocentralet për komunitetet lokale as nuk parashikoheshin në kushtet e licencimit. Sigurisht që Shqipëria nuk u bë dot “superfuqi energjetike”, se nuk ishte ky qëllimi.

Po kështu ndodhi me naftën dhe minierat dhe sidomos me paratë publike kryesisht të investimeve.

Një grup i caktuar biznese të ndërtimit fitonin pothuaj tender duke krijuar kështu një klientelë të përcaktuar, jo nga kushtet teknike por nga ato politike. Në këtë periudhe ndryshoi jo vetëm burimi i pasurimit por mënyra e ndarjes së tij.

U kufizua dukshëm shpërndarja e parave “me trasta e thasë” nga biznesi tek pushtetarët dhe u zëvendësua me një mënyrë të re, bërja aksionarë e tyre apo familjarëve të tyre në ndërmarrje të përbashkëta biznes- politikë. Kjo strategji e re krijoi një mundësi efikase të pastrimit të parave që politika siguronte nga korrupsioni, trafiqet dhe krimi duke i investuar ato në mënyrë të drejtpërdrejtë në kompanitë ku janë aksionarë.

Në këtë mënyrë u krijuan kompani të përbashkëta me biznesmenë, politikanë e zyrtarë të shtetit. Në këto kompani nuk u përfshinë vetëm politikanët në pushtet por edhe opozita dhe ne njohim me dhjetëra raste ku pronarë kompanish apo aksionarë të tyre janë politikanë të të dy krahëve politikë.

Kjo skemë e re kapitaliste çoi në krijimin e asaj që sot e quajmë oligarki, ku biznesi e politika janë bashkë e vendosin për fatet e ekonomike e politike të vendit në funksion të interesave të tyre.

Në 2013 qeveria Rama gjeti të privatizuar apo të dhënë me koncesion pjesë më të madhe të pasurisë publike por qeverisja e PD nuk privatizoi shërbimet, nuk deshi apo nuk mundi kjo ishte tjetër gjë.

Qeveria Rama erdhi në një terren të kontrolluar përkatësisht nga oligarkia e sapokrijuar dhe i shfrytëzoi mundësitë dhe mjetet në dispozicion më fort se qeveria Berisha.

Premtoi edhe ajo luftë kundër korrupsionit, shërbime sociale falas etje por bëri krejt të kundërtën. Iu vërsul shërbimeve që kryhen me para publike duke ja dhënë private ne koncesion.

Nga shëndetësia tek plehrat, çdo shërbim ju dhurua privatëve bashkë me paratë publike të planifikuar për to që sigurisht u frynë disa herë më shumë nga kostot kur këto shërbime i bënte shteti.

As në vendet më të zhvilluara kapitaliste shteti nuk ka deleguar kaq shumë shërbime e para publike për to tek privati sa në Shqipërinë e qeverisur nga Rama.

PPP ishte shpikja me e madhe djallëzore e Ramës për të vjedhur e grabitur paratë publike.

Kjo çoi më rritjen fiktive disa herë të kostove të punëve e shërbimeve publike duke e zhytur vendin në krizë ekonomike por edhe në një borxh të jashtëm e te brendshëm që rrezikon ta çojë shtetin në falimentim dhe detyron rritjen e taksave e tatimeve për qytetarët.

Rama nuk fali as ato pasuri publike që ngelën e tepruan nga “reformat” e PD. Vuri në kontroll të qeverisë së tij çdo pasuri publike në dispozicion, toka e hapësira publike sidomos ato me vlera urbane e turistike.

Miratoi ligje e rregulla që i japin dorë të lirë te bënte çfarë të donte me to.

Nga reforma territoriale tek ligji për “investitorët strategjikë ” janë me qindra ligje e rregulla të miratuar qëllimisht për të grabitur këto pasuri publike. Kështu zona me të bukura turistike e urbane të vendit ju dhuruan të ashtuquajturve “investitorë strategjike” duke shkelur të drejtat e pronarëve legjitimë por edhe komuniteteve që jetojnë etje dhe kishin përfituar ndër shekuj nga këto prona të përbashkëta të tyre.

Janë me dhjetëra rastet e grabitjes se parave e pronave publike nga kjo qeveri por besoj se këto qe tash janë të mjaftueshme për të krijuar idenë e asaj që po flasim.

E përbashkëta e madhe e qeverisë Rama me qeverinë Berisha janë kompanitë që përfitojnë nga partë dhe pasuritë publike, në masën me të madhe janë të njëjta emra, të njëjtit individë, të njëjtit aksionarë.

Kjo pra është oligarkia që vazhdon të sundojë edhe pse pushtet e qeveritë ndërtohen.

Roli i sajë është të bashkojë nëpërmjet interesave të përbashkëta pushtetit pavarësisht bindjeve apo krahëve politikë që thonë se përftojnë. Janë paratë e interesat e tyre qe i bëjnë një.

Dhe kjo po ndodh në Shqipëri ditën për diell.

Në Shqipëri pozita e opozita janë e njëjta gjë kur vjen puna për vendimmarrje të mëdha, pavarësisht teatrit politik që luajnë çdo ditë në sy të shqiptarëve.

Ka dhjetëra raste për ta kuptuar këtë që po ndodh por më i dukshmi në këto vite është ai i protestës për taksimin e Rrugës së Kombit, të organizuar nga qytetarët e Kukësit.

Ajo protestë nuk u shtyp dot nga qeveria e policia por u sabotua e u shua nga opozita.

Ibzen Elezi, “rivali” për kreun e rithemelimit me Berishën por edhe të tjerë, akuzuan publikisht përfaqësuesit e opozitës për sabotimin e protestës për interesa të tyre me kompaninë koncensionare dhe kjo është e vërtetë.

Oligarkia, këto interesa të përbashkëta paraje e pushteti e kthejnë opozitën në një “zjarrfikëse” të zemërimit qytetar ndaj qeverisë, ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta .

Por ky model nuk u shpik më Shqipëri por në Rusi, atje ku komunistët shqiptar kanë marrë e marrin frymëzimin, orientimet dhe modelet që nga viti 1924.

Oligarkia është model i kapitalizmit putinist, ku dhjetëra miliarderë të pasuruar si këtu me paratë e pasuritë publike i sigurojnë atij pushtetin me një opozitë fasadë, media të blera e kontrolluar nga oligarkët dhe ndonjë zë i lirë që kërkon të flasë çohet në” riedukim”, në burg ose në varreza, fiks si tek ne.

Oligarkia është garanci pushteti se nuk ka rëndësi cila parti është në pushtet, rëndësi ka që drejtuesit e sajë të jenë pjesë e një ndërmarrje e një grupi oligarkie.

Mendoni pak pse çmimet e naftës në Shqipëri ,vend prodhues, janë më të lartat në rajon ?! Përgjigja është oligarkia qe zotëron, burimet dhe importin e sajë madje krijon edhe një bord ku i cakton çmimin produktit që shet vet !

Kështu ndodh me pothuaj, çdo produkt të konsumit të gjerë tek ne.

Thashë në fillim që ligji 7501 që u paraqit si ligj social është në shërbim të oligarkisë.

Sot ata që morëm atë pak tokë për frymë në 1992, janë shtuar në dy tre breza.

Ajo tokë e pjesëtuar për frymë nuk u mjafton as për “bukë thatë” dhe nuk u ka rezultuar si zgjidhje. Po ti shtosh edhe kushtet e pamundura të kultivimit të sajë nga politikat e qeverisë kthehet një pronë tërësisht e pa dobishme. Kjo po i detyron njerëzit ta shesin. Këtu hynë në lojë sërish bizneset strategjike, oligarkët.

Sipas të dhënave zyrtare ata po blejnë mijëra hektarë tokë në zonat zona rurale me çmime të ulëta në marrëveshje me njëri tjetrin me qellim ndërtimin e fermave të mëdha rentabël dhe me ritmin e tanishëm se shpejti do të jenë pronarët e shumicës se tokës bujqësore në Shqipëri.

Si në rastet e investimeve të tjera të mëdha të tyre resorte turistike etje, do të futet në lojë qeveria me investime në infrastrukturë, financim të mjeteve motorike, shërbimeve, farës, karburantin etje të gjitha këto me paratë publike.

Po ti shtojmë kësaj edhe pronat e tjera publike si pyje kullota etje të blera me marra me koncesion si dhe pasurive të tjera që thamë me lartë i bie që së shpejti 80, 90 % e atdheut tonë, deri tani të përbashkët, të jetë pronë e 100 apo 200 familjeve oligarkike, biznesi e politike bashkë.

Pikërisht ky sistem politiko-ekonomik, i putinist i aplikuar në Shqipëri duket se ka shqetësuar afatet perëndimorë veçanërisht SHBA e cila ka ashpërsuar, jo vetëm gjuhën por edhe masat. Shpallja “non grata” e disa politikanëve dhe ngrirja e pasurive të disa biznesmenëve të lidhur me politikën janë shenja të qarta se ata nuk janë dakord me atë që po ndodh këtu.

Demokracia ku politika dhe biznesi nuk janë bashkë, ku pozita dhe opozita nuk janë bashkë të lidhur nga interes personale janë bërë tashmë shqetësim edhe për ta.

Në disa vende të ngjashme, si në Bosnjë, masat “non grata” për politikanë janë shoqëruar me masa të ngjashme edhe për biznesmenë që i mbështesin ata apo janë ortakë të tyre.

Besoj se perëndimorët janë të qartë për atë që po bëjnë e po kërkojnë.

Masa e parë që ata morëm ndaj Putinit pas agresionit në Ukrainë ishte bllokimi e sekuestrimi i pasurive të oligarkëve rus mbështetës të tij.

Në Shqipëri, masat amerikanë kundër korrupsionit dhe minimit të demokracisë të kulmuara me “non grata” ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, themeluesit të oligarkisë shqiptare, kanë ngjallur frikë e alarm tek oligarkët.

Kjo ka bërë që me gjitha mjetet në dispozicion ata ti bashkohen luftës se tij me SHBA. Arsyeja është e thjeshtë.

Largimi i tij nga drejtimi, direkt apo indirekt, i PD dhe opozitës do të thotë që në krye të saj mund të vijnë politikanë që nuk janë pjesë apo ortakë të oligarkisë, gjë që do ta prishte ndërmarrjen e tyre të madhe politiko- ekonomike të pushtetit do të vinte rregullat perëndimore të demokracisë sipas të cilave politika iu shërben qytetarëve jo oligarkisë.

Prandaj oligarkia sot është në këmbë në krah të tij, me median që kontrollohet prej tyre, paratë që nuk i mungojnë infrastrukturën, logjistikën etje.

Berisha para se të pushtonte PD i kishte zyrat në kullën e njërit prej tyre në qendër të Tiranës dhe nuk ka ndonjë transparencë, paguante apo jo për to dhe sa paguante.

Po kështu është ende mister se kush e financon lëvizjen antiamerikane, disa mujore të tij, fushatat në të gjithë vendin infrastrukturën, mediat që e ndjekin kudo, në kushtet kur financat zyrtare të PD nuk kontrollohen e përdoren nga ai.

Ndërkombëtarët kanë një problem tjetër me oligarkinë në Shqipëri.

Në vendet e tyre ka rregulla të qarta të marrëdhënieve të biznesit ne politikën e shtetit, financimet e partive politike kontrollohen rreptësishtë, paratë e pasuritë e politikanëve gjithashtu.

Në perëndim një pronar mediash nuk mund të marrë asnjë cent nga paratë publike, nuk mund të marrë për shfrytëzim një pasuri publike siç po ndodh tek ne.

Atje opozita dhe pozita nuk janë armiq por as një kompani e përbashkët. Amerikanët e kanë shpikur këto lloj demokracie për të garantuar kontrollim e për këtë qeveria dhe opozita nuk mund të jenë bashkë të lidhur me interesa personale e familjare në të njëjtin vend. Prandaj ata janë shqetësuar për Shqipërinë se nuk shohin ndryshim për faktin se kush nga aksionarët e oligarkisë është në pushtet, vendimet serish do ti marrin bashkë të kushtëzuar nga interesat e përbashkëta.

Pra, qartësisht oligarkia është problemi kryesor i Shqipërisë, burimi i minimit të demokracisë, korrupsionit madhor, varfërisë, largimit të shqiptarëve nga vendi eje.

Në kushtet kur ajo po kontrollon gjithçka, partitë politike, parlamentin, drejtësinë, mediat ekonominë po e po është e barasvlershme me një diktaturë. Opinioni publik në Shqipëri e ka të vështirë të informohet për këto për shkak të kontrollit mbi median të oligarkisë. Ndërkombëtarët kanë me shumë mundësi të veprojnë ndaj kësaj oligarkie por duket që masat e tyre janë të pamjaftueshme në se nuk e përfshinë të gjithë problemin dhe jo vetëm fragmente të tij, pavarësisht rolit dhe fuqisë se objektivit të shënjuar.

Duhet një veprim si në rastin e Putin dhe oligarkisë se tij. Nëse ata i shohin “non gratat” si rrezik për sigurinë e tyre kombëtare duhet të trajtojnë si të tillë çdo burim të ekzistencës dhe funksionimit të tyre.

 

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej